U shpallën ‘Non grata’, Ministria e Arsimit mbyll shkollën e financuar nga ‘diplomati’ i kamofluar iranian

Disa ditë pasi u dëbuan nga Shqipëria dhe u shpallën “Non grata” dy zyrtarët iranianë Mohammad Ali Arz Peimanemati dhe Seyed Ahmad Hosseini Alast të cilët nuk ishin diplomatë, por të kamofluar për të komplotuar sulme terroriste, si dhe për të kërcënuar dhe spiunuar iranianët që jetojnë jashtë, ministria e arsimit ka mbyllur një shkollë të financuar nga njëri prej tyre.

 Me urdhër të Besa Shahinit Ministria e Arsimit ka mbyllur shkollën “Saadi” që ushtronte aktivitet prej disa vitesh në Tiranë. Bëhet me dije se një prej zyrtarëve të dëbuar pak ditë më parë është drejtues i fondacionit “Saadi Shirazi” që financon pikërisht shkollën në fjalë.

Kujtojmë se të dy diplomatët janë shpallur persona ‘non grata’ dhe u kërkua largimi i menjëhershëm i tyre nga vendi për shkak të zhvillimit të veprimtarisë në mospërputhje me statusin e tyre.

Lajmin për shpalljen e diplomatëve si të padëshirueshëm në vendin tonë e ka dhënë fillimisht vetë ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj përmes një postimi në rrjete sociale. Kanë qenë shërbimet sekrete amerikane kanë zbuluar se dy zyrtarët iranianë që u dëbuan, nuk ishin diplomatë, por të kamofluar për të bërë komplote.