U larguan nga seanca plenare, flet kreu i Grupit Parlamentar të PD: PS kërkon të zvogëlojë përfaqësimin e opozitës

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Alfred Rushaj, në një prononcim për mediat pas largimit nga seance plenare e mbajtur pasditen e sotme ka akuzuar Grupin Parlamentar të PS dhe Kryetaren e Kuvendit për shkelje të rregullores.

Më tej Rushaj është shprehur se kjo shkelje rregulloreje bëhet me qëllimin për të zvogëluar hapsirën e përfaqesimit të PD dhe opozitës.

“ Sot dihet të ishte një seancë rutinë, normale e Kuvendit ku secila prej forcave politike duhet të zinte vendin e vet në komisionet parlamentare për të bërë detyrë. Për fat të keq që në seancën e parë u shkel rregullorja me të dyja këmbët dhe u shkel për të zvogëluar hapsirën e përfaqësimit të opozitës në parlament. Kjo është e papranueshme, është diçka që nuk duhet ta bëjë askush. Prandaj i bëjmë thirrje kryetares së Kuvendit dhe Grupit Parlamentar të PS që të zbatojnë rregulloren. Nuk mundet dhe nuk do ta bëjnë që të zvogëlojnë zërin e opozitës në Komisionet Parlamentare. Ajo çfarë jam unë këtu të them është që nuk do ta lejojmë PS-në që në mënyrë të hapur të shkelë rregulloren.”- tha Rushaj.