“U kënaqa nga Vllaznia-Tirana”/ Jupi: Bënë një ndeshje të denjë për emrin

Vllaznia-Tirana ishte sfida që spikaste më shumë nga të tjerat në Kategorinë Superiore javën e kaluar. Dhe, në fakt, klasikja shqiptare i përmbushi të gjitha pritshmëritë teksa pati shumë ritëm, luftë sportive e nuk mund të mungonin më të rëndësishmet, golat. Plot pesë të tillë u shënuan, teksa triumfuan shkodranët me rezultatin 3-2. Për këtë ndeshje ka folur edhe Redi Jupi në Proçesin Sportiv, duke e cilësuar si një sfidë të denjë për emrin që kanë skuadrat.

“Vllaznia-Tirana më ka kënaqur si ndeshje. Këto dy skuadra me shumë histori kanë bërë më në fund një ndeshje të denjë për emrin dhe statusin që kanë. Mos harroni që përpara disa vitesh këto skuadra kanë bërë një ndeshje për “Play-Out”.

Ra Tirana dhe vitin tjetër do të binte Vllaznia. Sesa e rastësishme dhe të paqëndrueshme janë klubet këtu nga keq menaxhimi i tyre, unë shpresoj se këto dy ekipe janë futur në rrugën e duhur.

Skuadra si meteor që dalin një vit për kampion, që bëjnë dy-tre sezone të mira dhe pastaj zhduken në thellësinë e kategorive të ulëta janë në qytete me 20.000 banorë që nuk kanë traditë në futboll. I gjithë problemi vjen nga keq menaxhimi i klubeve ku bënë pjesë edhe Voltana Ademi që nuk di sesa vende ka stadiumi në Shkodër, se ka 17.000 vënde”, u shpreh Jupi.