U kapën duke transportuar 14 emigrantë të paligjshëm, arrestohen 3 shtetas dhe shpallen në kërkim 3 të tjerë

Policia Korçë ka goditur tre raste të tjera të veprimtarisë kriminale të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit.

Njoftimi i Policisë:

Qarku Korçë

Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme në kuadër të operacionit policor “Perimetri”.

Goditen tre raste të tjera të veprimtarisë kriminale të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit.

U kapën duke transportuar 14 emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga 3 shtetas dhe shpallen në kërkim 3 të tjerë.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Policinë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor të koduar “Perimetri”, për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, kanë goditur tre raste të tjera, si rezultat i të cilëve u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve S. R., 29 vjeç, banues në Tiranë, T. M., 44 vjeç, banues në Tiranë dhe M. H., 26 vjeç, banues në Librazhd.

Shërbimet e Policisë kanë kapur në aksin rrugor Korçë-Pogradec, pranë fshatit Grabovicë, Pogradec, shtetasin S. R., duke transportuar me mjetin tip fuoristradë “Benz”, 6 emigrantë të paligjshëm si edhe shtetasin T. M., duke transportuar me mjetin tip “Renault”, 4 emigrantë të paligjshëm të cilëve kundrejt shpërblimit, këta shtetas iu kishin premtuar atyre kalimin drejt vendeve të BE-së.

Nga veprimet e mëtejshme hetimore të kryera për këto raste, dyshohet se të implikuar në këto ngjarje janë edhe shtetasit P. M., B. M. dhe N. Q., të cilët u shpallën në kërkim dhe po punohet për kapjen e tyre dhe vendosjen përpara përgjegjësisë ligjore.

Gjithashtu shërbimet e Policisë Rrugore kanë konstatuar në afërsi të fshatit Gështenjas, Pogradec, shtetasin tjetër M. H., duke transportuar me mjetin tip “Volkswagen” 4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit 200 euro secilit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive së Rretheve Gjyqësore Korçë dhe Pogradec për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim.