U kap ‘mat’ me sekretaren, flet ministri anglez: Kam thyer rregullat e distancës sociale

Ministri i Shëndetësisë të Anglisë, Matt Hancock, ka folur pas fotove të publikuara në media duke u puthur me sekretaren e tij në korridoret e ministrisë. Në një deklaratë ministri ka thënë se ka thyer rregullat e distancimit fizik dhe pranon të jetë puthur me ndihmësen e tij, Gina Coladangelo.

Unë pranoj që kam shkelur udhëzimet për distancimin shoqëror në këto rrethana, jam shumë i penduar. Unë mbetem i përqendruar në punën për të nxjerrë vendin nga kjo pandemi dhe do të isha mirënjohës për privatësinë për familjen time për këtë çështje personale“, ka thënë ai.

Lidhur me fotot e publikuara ka reaguar dhe Partia Laburiste, e cila ka kërkuar nga Kryeministri Boris Johnson që të shkarkojë Hancock. Por pas kësaj kërkese ministri tha se ai do të qëndrojë në detyrë për të vijuar luftën kundër Covid-19.

Por politikanë të tjerë kanë shtuar akuzat duke thënë se Hancock ka shkelur ligjin me emërimin e sekretares së tij duke abuzuar me pushtetin. Fotot e publikuara sot dyshohet se janë shkrepur në fillim të muajit Maj./BBC