Twitter vë shënim paralajmërues për postimin e Presidentit Trump

Platforma e medias sociale Twitter tha të martën se kishte vënë një shënim paralajmërues për një postim të Presidentit Trump, duke e cilësuar si koment që shkel politikat e kompanisë kundër sjelljeve abuzive.

“Nuk do të ketë kurrë një “Zonë Autonome” në Uashington, për sa kohë që unë jam president. Nëse përpiqen, do të ndeshin në forcë serioze,” shkruante presidenti në postim.

Përmes një postimi të saj, kompania Twitter njoftonte se e kishte fshehur komentin e presidentit pas njoftimit të saj në “interes të publikut” pasi komenti përfshinte kërcënime për lëndime ndaj një grupi të identifikuar.

Protestues kundër racizmit të hënën deklaruan një Zonë Autonome pranë Kishës së Shën Gjonit para Shtëpisë së Bardhë. Kjo frazë e merr frymëzimin nga termi me të cilin protestuesit në qytetin e Siatellit kanë pagëzuar zonën e zaptuar, të cilën e kanë quajtur “Zona Autonome e Kodrës së Kapitolit”. /VOA