Turi i falënderimeve në Lezhë, Rama: Turizmi duhet fuqizuar, ka rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit

Kryeministri Edi Rama ka vijuar turin e falënderimeve në Lezhë për rezultatin fitues që PS mori në këtë zonë si për kryetarin e bashkisë dhe këshillit bashkiak.

Fokusin Rama e vuri te shërbimi ndaj qytetarëve ose “njerzillëku”. Duke cituar shprehjen popullore “Hallin që s’ma zgjidh, të paktën ma qaj”, Rama tha se nuk është e mundur që të zgjidhen të gjitha kërkesat, por qytetarët duhen pritur dhe sqaruar në çdo rast.

Edhe zhvillimi i turizmit do të jetë në fokus të qeverisë, tha Rama, pasi Lezha turistike “luan një rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit tonë”.

Vota që qytetarët i besuan PS, për Ramën duhet të përkthehet në shumë punë që të përmbushen pritshmëritë e tyre.

Ky ishte një rezultat i jashtëzakonshëm, faleminderit qytetarëve që i dhanë votën Pjerinit dhe Majlindës, jam I prekur nga kjo mbështetje që kemi marrë.

Ajo që unë besoj dhe është gjëja më e rëndësishme që ne duhet të kuptojmë që të gjithë fituesit duhet të kuptojnë me çdo kusht se njerëzit që kanë një pritshmëri shumë të lartë, kjo ka të mirën e vet se të jep votat, por ka edhe hallin nga pas se duhet të shlyhet me rezultatet që i përgjigjen pritshmërive.

E vërteta është se askush, në asnjë familje apo shtet nuk ekziston një situatë ku të jetë e mundur që çdo dëshirë të realizohet, gjithmonë kërkesat dhe nevojat janë më shumë se sa mundësitë, edhe për SHBA edhe për Shqipërinë, për të gjithë. Nuk do të jetë e mundur që të gjitha pritshmëritë të realizohen, pro një gjë është e mundur me siguri, në këtë pikë ne kemi shumë deficit dhe borxhe në të gjitha nivelet. Dhe kjo është ajo që populli unë thotë “hallin që s’ma zgjidh, të paktën ma qaj”.

Nevoja e njerëzve për t’u dëgjuar kur kanë një problem duhet përmbushur me çdo kusht. Kërkesat e tyre duhen respektuar dhe shpjeguar kur nuk është e mundur të plotësohen.

Prioritet i prioriteteve duhet të jetë njerzillëku, i kryetarëve, i nënkryetareve, i këshilltarëve dhe i gjithë atyre që janë në kontakt me qytetarët.”, tha Rama.