Tuneli Llogarasë/ Balluku: Në fund të vitit çelet tenderi për ndërtimin

Kompania që do projektojë tunelin e Llogarasë pritet të përzgjidhet së shpejti.

Mediat lajmërojnë se 2 konsorciume të huaja kaluan fazën e parakualifikimit mes 7 pjesëmarrësve në garë.

Të mërkurën do të shpallet fituesi që do të hartojë projektin e plotë. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se synohet që në fund të vitit të hapet tenderi për përzgjedhjen e kompanisë që do ndërtojë tunelin.

Balluku tha se realizimi i këtij projekti të rëndësishëm infrastrukturor, shkurton kohën e udhëtimit drejt jugut të vendit, duke ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin e turizmit.

Tuneli i Llogarasë do të ketë një gjatësi prej 6 km, ndërsa do të shkurtojë kohën e aksesimit të jugut të vendit me rreth 45 minuta. Më herët, qeveria ka deklaruar se nga zbatimi i këtij projekti pritet që impakti direkt në punësim të jetë 400 vetë, ndërsa ai indirekt shkon në 10 mijë persona.