Tregu i pagave penalizon shtresën e mesme

Nga viti 2019 deri më 2022, paga minimale në vend është rritur me ritme dy herë më të larta se paga mesatare. Gjatë këtij harku kohor, paga minimale u rrit me 30% dhe paga mesatare, me vetëm 15%.
Ekspertët e ekonomisë pohojnë se rritja e pagave minimale, me ritme më të larta se paga mesatare, po deformon strukturën e pagave dhe po mban në vendnumëro pagat e profesionistëve, që përfaqësojnë shtresën e mesme, të cilët janë prekur njësoj nga inflacioni.
Modeli ekonomik ofron kërkesë për punonjës me arsim të ulët, duke ushtruar presion për rritje të pagave në këtë grup, në të kundërt, kërkesa për profesione që kërkojnë më shumë aftësi ka mbetur në vend. Diferenca me rajonin dhe Europën është zgjeruar edhe për pagën minimale. Tregu ka reaguar më shpejt se qeveria. Ekspertët dhe bizneset bëjnë thirrje për orientimin e ekonomisë drejt një modeli të ri.

Më 1 prill, hyn në fuqi vendimi për rritjen e pagës minimale në 40 mijë lekë, nga 34 mijë lekë aktualisht. Rritja e menjëhershme me 17.6% është më e larta së paku që nga viti 2006, por më shumë se sa një instrument në prag fushate, vendimi po diktohet nga zhvillimet në tregun e punës. Emergjenca për punonjës po ushtron presion për rritjen artificiale të pagave, në kushtet kur modeli ekonomik nuk po orientohet nga produktiviteti.

Bizneset në të gjithë sektorët, në përpjekje për të mbajtur stafet, po aplikojnë rritjen e pagave si mundësia e fundit për të shmangur falimentin. Katër vite më parë, gati 45% e të punësuarve paguheshin deri në pagën minimale.

Vitin e kaluar, në tremujorin e tretë të vitit, kjo kategori zuri vetëm 15% të totalit të të punësuarve, sipas raportimit të INSTAT. Brenda një viti, përqindja e punonjësve me pagë minimale u përgjysmua, teksa u pa një rritje e kategorive të punonjësve me paga më të larta.

Vitet e mëparshme, vendimi i qeverisë për rritjen e pagës minimale pritej me debat, për shkak të kostove që krijonte te bizneset. Si një ekonomi që e ka të bazuar modelin te krahu i lirë i punës, pagat e ulëta vazhdojnë të jenë në themel të konkurrueshmërisë, por tani kur forca e punës po emigron, pikërisht prej pagave të ulëta, leva e pagave duhet të lëvizë në marshe më të shpejta.

Bizneset në sektorët kryesorë të ekonomisë pohuan se vendimi i qeverisë për rritjen e pagës minimale është i drejtë, madje sugjeruan nivele më të larta.

Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, tha se është koha që paga minimale në Shqipëri të jetë 500 euro, por ndërkohë, qeveria duhet të rrisë përpjekjet për të orientuar ekonominë drejt sektorëve me fitime më të larta. Ai tha se tashmë ka një konkurrencë të brendshme në tregun e punës, ku sektorët me vlerë më të lartë të punës po tërheqin punonjës nga sektorë me vlerë të ulët.

P.sh., industria automotive po furnizohet me punonjës nga fabrikat e fasonit, për shkak të kushteve më të mira të punës dhe pagave. Sektorët e agropërpunimit po tërheqin më shumë punonjës nga bujqësia, marketingu dixhital dhe IT po tërheqin punonjës nga call center.

Kjo po ndodh në kushtet e rritjes së kërkesës nga jashtë për punë dhe shërbime në Shqipëri, ndërkohë që popullsia vendase, sidomos në grupet e reja, po tkurret me shpejtësi.

Enri Jahaj, nga Shoqata e Bareve dhe Restoranteve, tha se, ka shumë arsye pse pagat duhen të rriten dhe kjo është e drejtë, pasi minimumi jetik po vjen në rritje prej çmimeve të larta, por në sektorin e bareve dhe restoranteve, paga minimale 40,000 mijë lekë do të falimentojë një seri biznesesh në qarqet e vendit, ku çmimet dhe fuqia blerëse është shumë e ulët.

Një bar në Rrëshen apo në Gramsh e ofron ende një kafe 50 lekë, ndërsa një i tillë në Tiranë e shet të paktën 30-40% më shumë.

Ekonomistët pohojnë se në njësitë e biznesit që nuk kanë aftësi të rrisin pagën minimale, do të shtojnë informalitetin. Rritjet e shpeshta të pagave minimale, pa politika zhvillimi, do të sjellin vështirësi në pagesa dhe recesion për biznesin e vogël e të mesëm, thotë kontabilisti Ahmet Gjinishi.

Me këto rritje, në afatshkurtër, vërtet do të krijohet një frymë lehtësuese për punëmarrësit, por nga ana tjetër, rreziku se mund të mbyllen vendet e punës dhe bizneset të falimentojnë do të rritet. Ai tha se rritja e pagave nuk mund të bëhet me vendime të qeverisë, me politika makroekonomike, që të krijonte mundësitë që rritja të jetë e natyrshme./Monitor