Transmetimi i energjisë/ OST parashikon 134 milionë euro investime në planin 3 vjeçar

Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) pranon se pavarësisht investimeve të bëra në rrjet cit pas viti nevoja për projekte të reja mbetet e lartë për shkak të shtimit të kapaciteteve të reja prodhuese që po rriten dita-ditës.

Teksa për momentin investimet janë të pezulluara për shkak të gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji të vendit dhe lejohen vetëm ndërhyrjet e nevojshme për vitet në vazhdim OST ka parashikuar të paktën 134 milionë euro në këtë zë.

Të paktën kështu rezulton në aplikimin e bërë nga kompania pranë ERE-s ku ka argumentuar edhe nevojën e saj për rishikim të tarifës thuajse me një dyfishim.

“Gjatë viteve 2022-2024 OST sha.a parashikon të kryejë rreth 16.5 miliardë lekë investime, nga të cilat 44.3 për qind të financuara me fonde të huaja ndërsa pjesa tjetër me fondet e OST” nënvizon OST.

Por cilat janë në fakt projektet me fonde të huaja.

I pari sipas OST është program i eficencës së energjisë të sektorit të transmetimit Loti 1 nënstacionet dhe Loti 2  linjat. Ky projekt financohet me një kredi 40 milionë euro të akorduar nga qeveria gjermane përmes bankës kfW. E dyta është ndërtimi i linjës 400 kv  Shqipëri-Maqedoni si dhe zgjerimi i nënstacioneve Elbasan 2 dhe Fier. Financimi i këtij projekti mbështetet gjithashtu nga qeveria gjermane me një kredi zhvillimi 50 milionë euro si dhe një grant 13.7 milionë euro nga Korniza e Investimeve.

Kujtojmë që vetëm dy ditë më pare Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen e ndërtimit për lotin e parë të këtij projekti teksa loti i dytë është në fazë projektimi.

Një tjetër investim është ai i linjës së re 110 kv Fier-Hoxharë si dhe ndërtimi i linjës së re kabllore Tirana1-Qendër.

OST vlerëson se ka një nevojë në rritje për investime në rrjet për shkak se një pjesë e tij është amortizuar dhe ka edhe mbi 50 vite në funksion.

“Pjesa më e madhe e rrjetit 110 kv përfshin linjat dhe nënstacionet e lidhur me të që kanë tashmë një periudhë shfrytëzimi rreth 50 vjeçare.  OST gjithmonë ka mundur të transmetojë gjenerimin e plotë të vendit pa asnjë kufizim dhe me nivel të lartë sigurie por në vitet e fundit jemi gjendur përballë një rritjeje të gjenerimit të vendit me 30 për qind më të lartë nga ajo e maksimumit të arritur më parë. Praktika e operimit në këtë situatë nxori në pah disa nyje kritike të sistemit të transmetimit” nënvizon OST./Monitor