Trafikoi 1.4 ton drogë drejt Italisë, arrestohet kreu i bandës shqiptare

Një 42 -vjeçar shqiptar i konsideruar nga hetuesit si kreu i dyshuar i një grupi kriminal që merret me trafikun e drogës, është vënë në pranga në aeroportin San Francesco të Perugia-s. Arrestimi i shqiptarit emri i të cilit nuk bëhet i ditur është bërë nga karabinierët, të ndihmuar dhe nga policia e aerportit.

Pas më shumë se se 7 muaj hetimesh, që nga tetori 2017 deri në maj 2018, hetuesit e koordinuar nga Prokurori i Perugia, si pjesë e operacionit të quajtur “San Mariano 2017”,  shkatërruan një linjë kriminale të trafikimit dhe shitjes së drogës, veçanërisht marihuanës.

Grupi përbëhej nga 6 persona, të gjithë shqiptarë, të cilët në Italinë qendrore ishin në gjendje të menaxhonin sasi të mëdha droge, duke bërë që ato të mbërrinin nga Shqipëria, në një qendër magazinimi edhe në Romë.

Hetimi bëri të mundur kapjen e pothuajse 1,400 kg marijuanë dhe të armëve e gjithashtu të një gomoneje oqeanike që përdorej për transportimin e drogës. Tashmë me arrestimin e tij, shqiptari është dërguar në burgun Capanne në dispozicion të autoriteteve gjyqësore.