Trafik droge nga Shqipëria drejt Italisë, kapen 604 kg marijuanë

Plot 604 kg marijuanë e 17 kg hashash është bilanci i operacionit të koduar “Uji jeshil”, ekzekutuar mëngjesin e sotëm nga policia italiane e provincave Trento, Bolzano, Roma, Mantova, Verona, Vicenza e Treviso.

Me akuzën e pjesëmarrjes në aktivitet kriminal për trafik droge janë vënë në arrest 16 persona, 13 nigerianë, 1 shqiptar e 2 italianë, si dhe janë kryer 45 kontrolle banesash.

Hetimet e operacionit kanë nisur në tetor të 2019 e deri në dhjetor të 2020 nën drejtim e Grupit Investigativ të Policisë së Trentos.

Nën koordinimin e Prokurorisë së Antimafias është zbardhur një rrjet trafikimi droge, kryesisht marijuanë që mbërrinte në Itali nga Shqipëria përmes kanalit të Otrantos.

Magazinimi e shpërndarja e drogës e kishte bazën në Romë e menaxhohej nga një grup trafikantësh italianë. Ndërsa shpërndarja e sasive të drogës sipas kërkesave të tregjeve, e kryesisht ne pjesën veri lindore të Italisë, në Trieste, Trento e Bolzano, menaxhohej nga grupi i trafikantëve nigerianë.

Korrierët nigerianë përdornin udhëtimet me trena të shpejtësisë së lartë e për t’i shpëtuar kontrolleve e aromës së marijuanës përdornin konfeksionimi e izoluar me celofanë e aromë mente.

Hetimet kanë zbardhur se ky grup kriminal ishte ndërtuar sipas një strukturë të organizuar mirë, në bazë hierarkie e me role të përcaktuar për çdo anëtar.

Grupi ishte i aftë të siguronte mbrojtje e asistencë legale për probleme gjyqësore që kishin anëtarët e saj, si dhe mbrojtje fizike për secilin prej tyre kundër konkurrencës me grupet e tjera kriminale.

Hetimet komplekse të operacionit “Uji jeshil” janë shtrirë dhe në territoret e Lecce, Mantova, Piacenza, Treviso, Verona e Vicenza e gjatë fazës hetimore kanë cuar në arrestimin e 21 personave të tjerë.

Që nga nisja e hetimeve e deri në ekzekutimin e urdhër arrestimeve të sotme, janë sekuestruar 604 kg marijuanë e 17 kg hashash.