Tirana ndez dritat e Krishtlindjeve/ Pema në qendër të Kryeqytetit merr jetë

 “Të ngrihemi bashkë përtej vështirësive e të jemi pranë atyre që kanë nevojë” ky ishte mesazhi që përcolli kryebashkiaku Veliaj teksa ndezi dritat shumëngjyrëshe të pemës së Krishtlindjeve.

Pakëz herët nga vitet e tjera, Pema vezulloi për ti dhënë atmosferë më shumë se ditëve të ftohta, ankthit që mund të përcjellin këto ditë të ngrysura të infeksionit të pandemisë.

Në respekt edhe të vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve lidhur me masat anti-Covid, 10 vogëlushë të Korit të Fëmijëve “Mrekullia” ndezën dritat e pemës festive.

Në mesazhin drejtuar qytetarëve, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se Tirana ndonëse kaloi vështirësi këtë vit, gjeti forcë të ngrihet si kurrë më parë.

“Ky ka qenë një vit pazakontë, ndoshta viti më i vështirë në historinë 100-vjeçare të Tiranës kryeqytet. E megjithatë, jeta vazhdon, e megjithatë dielli lind çdo mëngjes, e megjithatë pas vështirësive ne çohemi sërish në këmbë për të ecur përpara. Ndaj, këtë fundvit, duhet të merrnim një vendim, nëse do të vazhdonim me festën, nëse do të vazhdonim me zbukurimin e qytetit, nëse do të vazhdonim me harenë dhe vendosëm që “PO”, për hir të fëmijëve, për hir të atyre që nuk kanë bërë asnjë mëkat dhe që meritojnë të gëzojnë edhe këtë fundvit”, tha Veliaj.