Tirana me theks anglez, zbulohet paga e Majkëll Ngosë me klubin nga kryeqyteti

Merr fund telenovela Majkëll Ngo. Pas shumë pritjesh, sulmuesi anglez është rikthyer përsëri në radhët e Tiranës. Prej shumë kohësh flitej për një rikthim të Ngosë, por tratativa u shty nga vetë sulmuesi për arsye ende të paqarta. Lajmin e bëri të ditur vetë faqja zyrtare e bardhebluve në “Facebook” duke thënë ndër të tjera se sulmuesi do t’i bashkohet të enjten skuadrës në Pogradec për të nisur fazën stërvitore.

“Lojtari Majkëll Ngo rikthehet në Shqipëri për t’iu bashkuar skuadrës bardheblu. Një nga sulmuesit më të dashur për tifozët dhe jo vetëm, do të jetë serish pjesë e kampionatit shqiptar.

Shtatlarti ishte titullar i padiskutuar në sezonin 2019-2020 dhe me kontributin e tij të madh në skuadër i dhuroi klubit titullin kampion.

Ngo vjen sërish me synime të qarta dhe objektivin kryesor: fitimin e një titulli tjetër.

Ai do t’i bashkohet skuadrës në Pogradec për të vijuar fazën përgatitore”, shkruante klubi Tirana. Anglezi, në fakt, ditën e hënë ka komplikuar marrëveshjen me bardheblutë, duke nxjerrë yçklat e zakonshme, por në lojë ka hyrë presidenti Refik Halili, i cili ka mbyllur marrëveshjen, duke komunikuar drejtpërdrejt me Ngonë.

Ndërhyrja e Halilit bëri që anglezi të fitojë kontratën, sepse në të kundërt, Ngoja do të vazhdonte të mbante në ajër bardheblutë.

Pas firmës mësohet se rroga e Ngosë do të jetë rreth 8000 euro në muaj, një shumë që anglezi ka marrë te Tirana edhe më parë.

Lojtari do të jetë ditën e enjte për t’iu bashkuar bardhebluve në stërvitje./Panoramasport