Thirrjet e saj për ndihmë u ndërprenë nga të shtënat, gjendet e vrarë 6-vjeçarja në Gaza

Thirrjet e saj për ndihmë u ndërprenë nga të shtënat, gjendet e vrarë 6-vjeçarja në Gaza

Një vajzë 6-vjeçare, e cila u raportua e zhdukur në Gaza muajin e kaluar, është gjetur e vdekur së bashku me disa nga të afërmit e saj dhe 2 mjekë që u përpoqën që ta shpëtonin. E vogla, Hind Rajab po largohej nga qyteti me tezen, xhaxhain dhe 3 kushërinjtë e saj kur makina me të cilën po udhëtonin, duket se është përballur me tanket izraelite dhe për pasojë ka shpërthyer në flakë.

Referuar regjistrimeve audio nëpërmjet operatorëve dhe thirrjeve të urgjencës, duket se 6-vjeçarja ishte e vetmja e mbijetuar në makinë mes trupave të të afërmve të saj. Lutjet e saj për ndihmë përfunduan kur linja telefonike u ndërpre mes zhurmës së të shtënave.

Paramedikët nga Shoqëria Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe (PRSC) arritën të shtunën në zonën, e cila më parë ishte mbyllur si një zonë luftarake aktive. Ata gjetën në zonë makinën e shkatërruar, tek e cila dukeshin vrimat që kishin shkaktuar plumbat.