Thaçi: Jap dorëheqje nëse konfirmohet aktakuza

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë të hënën gjatë adresimit ndaj publikut se nëse konfirmohet aktakuza e Prokurorit të Specializuar kundër tij, atëherë ai do të japë menjëherë dorëheqje nga pozita që ka.

Thaçi ka thënë se gabime politike edhe mund të ketë bërë, por krime të luftës kurrë.

“Nëse do të mund të kthehesha në vitet e errëta të (v.j. ish-liderit serb, Sllobodan) Millosheviqit, do ta bëja gjënë e njëjtë, duke iu përgjigjur plumbit të armikut me plumb të etur për liri dhe duke mos i bërë keq asnjë serbi, romi apo qytetari shqiptar”.

Thaçi ka thënë mes tjerash se ai do të ishte njeriu më i lumtur nëse do ta shihte se komuniteti ndërkombëtar do të aplikonte standardet e njëjta ndaj Kosovës dhe Serbisë, kur është fjala për krimet e luftës.

“Fatkeqësisht nuk e shohim këtë standard dhe në mënyrë proporcionale, e shoh të kundërtën. Andaj jemi këtu sot. Serbia avancon në rrugën e saj të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, derisa Kosova nuk e gëzon as të drejtën e lëvizjes së lirë. Unë nuk shoh komplot kundër Kosovës, mirëpo qasja e ndryshme nga komuniteti ndërkombëtar ndaj këtyre dy kombeve është fakt”, ka deklaruar Thaçi.

Ky është adresim i parë publik i Thaçit që nga njoftimi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë më 24 qershor, se kundër presidentit të Kosovës ka paraqitur aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Sipas njoftimit, Prokurori më 24 prill ka dërguar aktakuzën për shqyrtim me dhjetë pika, në të cilën Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe “të tjerë”, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Ende nuk është bërë e ditur kush bën pjesë në mesin e “të tjerëve”.

Në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe “të tjerë” janë “penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme”, dhe se “krimet e paraqitura në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të identifikuara, shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.

Përmbajtja e aktakuzave është konfidenciale derisa gjyqtari t’i konfirmojë ato.

Gjykatësi i procedurës paraprake, francezi Nicolas Guillou, ka maksimum gjashtë muaj kohë nga data e paraqitjes së aktakuzës për ta konfirmuar ose hedhur poshtë atë, plotësisht ose pjesërisht.

Sipas njoftimit, prokurori i Specializuar e ka konsideruar të domosdoshme nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, “për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së Dhomave të Specializuara të Kosovës”.

Përveç kësaj, në komunikatë është thënë se Thaçi dhe Veseli “kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë”.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se dyshimet e ngritura nga Zyra e Prokurorit Special, në kuadër të Dhomave të Specializuara, janë plotësisht të pavërteta dhe nuk qëndrojnë. Një tjetër shqetësim sipas Veselit, është dyshimi i bazuar se motivet e vërteta të këtij prokurori janë krejtësisht politike. Ai ka thënë para gazetarëve se lufta e UÇK-së nuk mund të njolloset nga asnjë prokuror. /REL