Teuta Xhindi, statisticienia me sytë nga dixhitalizimi


Bazuar në një studim, janë 5 fusha të propozuara specifike në STEM, të cilat aktualisht propozohen për tu vijuar studimet, si: Data Science, Internet of things, Inxhinieria mjedisore, Urbanizimi dhe Cyber Security. Duke qënë se këto fusha janë të kërkuara në tregun e punës, janë edhe të mirëpaguara, do të shërbejnë si stimuluese për të studimet në përgjithësi, por vajzave në vecanti, në fushat e STEM.

Nga Shkodra e saj e dashur në Tiranën e mundësive, Teuta Xhindi ka frymëzuar gjenerata studentësh si në sistemin parauniversitar, ashtu edhe në atë universitar. Me një dashuri dhe pasion të madh për numrat dhe me vizionin për t’i parë ato të përkthyera në fusha të tjera të dijes, Teuta na rrëfen celësin e suksesit për të vazhduar karriera në STEM.

Ju keni filluar rrugëtimin tuaj në STEM në Matematikë si mësuese e matematikës në Shkodër,ku fillimisht keni dhënë mësim në gjimnazin ‘’28 Nëntori” dhe më pas në “Pjetër Mëshkalla”. Unë doja të pyesja cfarë ka kaq të vecantë Shkodra dhe në vecanti shkolla “28 Nëntori”, që ka nxjerrë një rradhë të gjatë shkencëtarësh? Mund të permendim këtu profesoreshë Mimoza Hafizin apo edhe të tjerë.

Në fakt gjimnazi “28 Nëntori” është ikonë dhe emblemë e edukimit dhe arsimit, jo vetëm në Shkodër por në mbarë Shqipërinë. Si dhe shkolla “Atë Pjetër Mëshkalla”, pasuese e kolegjit saverian, të formuar nga Urdhëri Jezuit që në vitin 1877, në të cilën kanë studiuar njerëz të shquar që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në kombin shqipëtar, si Martin Camaj, Ernest Koliqi, Luigj Gurakuqi, Arshi Pipa etj. Kam qënë me fat të them të drejtën, që kam qënë pjesë e ketyre dy institucioneve, të cilët kanë nxjerrë një brez shumë të mirë profesionistësh, jo vetëm në fushën e shkencës, por edhe në mjekësi, inxhinieri, në ekonomi etj. E kujtoj me shumë dashuri këtë pjesë të rrugëtimit tim në fushën e matematikës, sepse ai brez studentësh ka shërbyer si nxitje dhe frymëzim në gjithë rrugëtimin tim në këtë fushë.

15 vite janë një rrugëtim goxha i gjatë. Cilat janë kujtimet që ju keni vecuar në këtë rrugëtim dhe a keni ndonjë këshillë për mësuesit e sotëm të matematikës, të shkencës, teknologjisë apo inxhinierisë në shkollat e mesme? Cfarë mund të bëjnë ata për studentët e tyre më shumë?

Kujtoj me shumë dashuri studentët, të cilët e donin matematikën, kërkonin gjëra më të vështira sesa kishte teksti dhe ti duhet të punoje të gjeje ushtrime jashtë tekstit, më të vështira. Të mendoje pyetje për këta studentë, që të ishin më të vështira dhe kam pasur një performancë shumë të mirë si në olimpiada matematike, si në olimpiada të ndryshme. Kështu që ka shërbyer shumë në nxitjen time, në formimin tim, në pasurimin e formimit tim këto vite të punës në Shkodër. Ajo që unë do këshilloja për mësuesit është që ta bëjnë punën me shumë dashuri, që të shërbejnë jo thjesht si transmetues të dijes, por të jenë edhe frymëzim për studentët. Një mësues i mirë, që të transmeton informacionin me pasion e dashuri, shërben si burim frymëzimi për të gjithë nxenësit.

Po për institucionet që janë në ngarkim për arsimin parauniversitar? Cfarë mund të bëjnë më mirë këto institucionë që ne të kemi një arsim parauniversitar, i cili u jep njohuri në STEM nxënësve, të cilët i fuqizon, i frymëzon dhe njëkohësisht mbështet mësuesit që të bëjnë punën e tyre, të jenë frymëzues e të jenë kreativ në përditshmëri?

Në gjykimin tim për institucionet të cilat janë përgjegjëse për arsimin, unë propozoj dhe mendoj që duhet të jenë politika mbështetëse, favorizuese. Kur them politika mbështetëse, kam parasysh mbështetjen nga ana financiare, në mënyrë që të nxiten studentët, të gjithë në përgjithësi, por vajzat në vecanti, për të vazhduar studimin e tyre në fushat e STEM. Sepse pa këto politikat nxitëse, unë mendoj se fjalët nuk kanë edhe aq shumë vlerë. Nuk mjafton vetëm ti thuash ‘vazhdo matematikë, sepse është një degë e mire, me perspektivë etj etj por por duhet faktikisht që ato ta ndiejnë këtë mbështetje dhe ku më mirë se incentivat ekonomike ose vendet e punës do të shërbejnë si nxitje për të vijuar më tej në këto fusha.

Pas një shkëputje prej 5 vitesh, ku ju keni punuar pranë Dhomës së Tregëtisë apo në Parlamentin e Shqipërisë, ju u rikthyet në auditoret e Universitetit. Prej vitit 2008 punuat si profesore e Statistikës dhe Ekonometrisë pranë Universitetit Europian të Tiranës dhe prej 2018 keni marr drejtimin e Departamentit të Informatikës dhe Teknologjisë pranë Universitetit Mesdhetar të Tiranës. Pse ky rikthim në Akademi?

E vlerësova pozitivisht në atë kohë ftesën që m’u bë për të qënë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë. E pranova për një eksperiencë ndryshe, e pranova si sfidë ndaj vetes për të provuar veten në një terren tjetër.