Tensionet në veri të Kosovës dhe roli i Rusisë në rajon, flasin ekspertët perëndimorë

Pezullimi i përkohshëm për një periudhë 30 ditore nga qeveria e Kosovës i masës së reciprocitetit me Serbinë mund të mos mjaftojë për të zgjidhur dallimet mes Prishtinës dhe Beogradit, thonë ekspertë të sigurisë dhe zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor.

Duke folur për Zërin e Amerikës, ekspertët thonë se pas tensioneve të fundit në veriun e vendit fshihet edhe Rusia e cila sipas tyre në përpjekjet për të destabilizuar rajonin, synon të zhvendosë vëmendjen e Perëndimit nga lufta në Ukrainë.

Ekspertë të sigurisë vlerësojnë se qetësia në veri të Kosovës mund të jetë e përkohshme dhe se situata mund të tensionohet përsëri në shtator.

Ata thonë se nga takimi i paralajmëruar i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit serb, Aleksandar Vuçiç në Bruksel gjatë muajit gusht, nuk pritet ndonjë rezultat konkret për tensionet që pasuan vendimin e qeverisë në Prishtinë për të zbatuar masën e reciprocitetit për targat e makinave dhe dokumentetet e identifikimit të lëshuara nga autoritetet serbe.

“Serbët konsiderojnë se për momentin koha është në anën e tyre dhe se janë në një pozicion më të fortë sesa Kosova, qoftë ekonomikisht apo sa u përket aftësive për të nxitur Brukselin, Uashingtonin, Moskën dhe Pekinin kundër njëra tjetrës. Kjo është diçka që e kemi parë vazhdimisht në çështje të ndryshme. Kjo duket të jetë rruga që Presidenti Vuçiç ka zgjedhur. Ndërsa opsionet për Kosovën janë më të kufizuara”, thotë në një intervistë ish-drejtori i përgjithshëm për zgjerimin në Komisionin Evropian, Michael Leigh.

Zoti Leigh është studiues i Fondit gjerman Marshall dhe drejtor akademik për Evropën i shkollës së studimeve të avancuara ndërkombëtare në Universitetin Johns Hopkins.