Temperaturat e larta rrisin kërkesën ditore për energji në 18.889 MWh

Temperaturat e larta dhe mbi mesataren e periudhës, gjatë ditëve të fundit, kanë rritur ndjeshëm konsumin e energjisë elektrike në vend.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare informoi sot se prodhimi në kaskadën e Drinit është 13.233 MWh, ndërsa kërkesa ditore për konsum nga Furnizuesi i Shërbimit Universal është 18.889 MWh.

Sipas KESH-it, rezerva energjitike është 1011.9 GWh.

“Çmimi i energjisë sot në bursë shënon 360 euro/MWh. Temperaturat e larta e mbi mesataren e periudhës gjatë ditëve të fundit kanë rritur ndjeshëm konsumin e energjisë elektrike në vend. KESH iu bën thirrje konsumatorëve fundorë të përdorin në mënyrë sa më eficiente energjinë elektrike”, thuhet në deklaratën e KESH-it.

Ndërkohë, KESH publikoi të dhëna të situatës aktuale në Kaskadën e Drinit.

“Prurjet natyrore në kaskadë janë 105 m3/s. Niveli i liqenit të HEC-it të Fierzës është 287.19 m, ndërsa kuota maksimale është 296 m. Niveli i liqenit të HEC-it të Komanit është 173.40 m, ndërsa kuota maksimale është 175.5 m. Niveli i liqenit në HEC-in e Vaut të Dejës është 73.72 m, ndërsa kuota maksimale është 76 m”, bën të ditur KESH.

Prurjet natyrore në HEC-in e Fierzës llogariten 60 m3/s, në HEC-in e Komanit 35 m3/s, ndërsa në atë të Vaut të Dejës, 10 m3/s./ATA