Të gjithë të çmendur për Itali-Shqipëri, si po rishiten biletat e Europianit

Na ndan vetëm një javë nga ndeshja e parë e Kampionatit Europian të futbollit Itali-Shqipëri, e cila është e vlefshme për grupin B dhe do të luhet të shtunën e ardhshme më 15 qershor në stadiumin “Signal Iduna Park” të Dortmundit.
Të gjithë të çmendur për Itali-Shqipëri, si po rishiten biletat e Europianit

Na ndan vetëm një javë nga ndeshja e parë e Kampionatit Europian të futbollit Itali-Shqipëri, e cila është e vlefshme për grupin B dhe do të luhet të shtunën e ardhshme më 15 qershor në stadiumin “Signal Iduna Park” të Dortmundit.

Shqipëria do të luajë për herë të dytë në një kampionat Europian pas atij të Francës në vitin 2016, kur shqiptarët ndezën stadiumet franceze. Këtë herë entuziazmi është shumë më i madh dhe interesi për të qenë i pranishëm, të paktën në ndeshjen e parë, është i jashtëzakonshëm, për faktin se do të luajmë ndaj gjigantëve të futbollit botëror, kombëtarja po kalon një formë të mirë, por edhe se në Gjermani jetojnë një numër shumë i madh shqiptarësh.

Me mijëra kanë mundur të blejnë biletat drejtpërdrejtë në faqen e UEFA-s, por shumë të tjerë vijojnë ende të shpresojnë se mund t’ia dalin, por tashmë çmimi është vërtetë i kripur.

Aktualisht, ka të paktën dy mënyra për të siguruar biletën e “fatit”. Së pari, agjencitë turistike vijojnë të shesin paketa për të tria ndeshjet, ku përfshijnë biletën e avionit, të ndeshjes si dhe akomodimit. Çmimit janë rritur ndjeshëm dhe këtu nuk bëhet më fjalë që një ndeshje ta shohësh pa shpenzuar të paktën 1 mijë euro. Mënyra e dytë, janë portalet të cilat të ofrojnë bileta që publikohen aty nga të tjerë persona që kanë vendosur të mos udhëtojnë në Gjermani.

Një prej këtyre faqeve është e “viagogo”, e cila rishet bileta për thuajse të gjitha ndeshjet e rëndësishme të futbollit. Ajo që bie në sy në këtë faqe është se ndeshja më e “nxehtë”, ajo me më shumë kërkesa, nga të gjitha takimet e Europianit është Itali-Shqipëri. Aktualisht, në këtë faqen janë në shitje 550 bileta për këtë takim. Çmimet variojnë nga 280 euro deri në 1400 euro. Bie në sy fakti që në sektorin pas porte ku do të akomodohen tifozët italiane çmimet variojnë nga 300 deri në 400, ndërsa në atë ku do të qëndrojnë shqiptarët çmimet janë më të kripura nga 500 deri në 800 euro dhe këtu bëhet fjalë për bileta, të cilat UEFA i ka shitur edhe me 30 euro. Ndeshjet me çmimet më të lira të biletave janë Hungari-Zvicër dhe Slloveni-Danimarkë.