Të dëmshme për shëndetin, AKU thirrje qytetarëve: Mos konsumoni këto patatina

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar konsumatorët që të kenë kujdes dhe të mos konsumojnë patatinat e misrit “Natural Organic Tortilla Chips 125 g”, pasi është konstatuar prania e alkaloidëve atropinë dhe skopolaminë, të dëmshme për shëndetin. AKU thotë se janë marrë të gjitha masat për bllokimin e produktit.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në njoftimin për shtyp bën të ditur se “referuar njoftimit të ardhur nga sistemi RASFF, ku pas analizave laboratorike të kryera në Gjermani është konstatuar prani e alkaloidëve atropinë dhe skopolaminë në patatina misri “Natural Organic Tortilla Chips 125 g”.

Gjithashtu Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njofton se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për bllokimin e produktit.

“Në bashkëpunim edhe me operatorët e biznesit ushqimor, janë kryer njoftimet paraprake për thirrjen për konsumatorët që e kanë blerë këtë produkt që të mos e konsumojnë atë, por ta kthejnë pranë subjektit, ku e kanë blerë”, thuhet në njoftimin e AKU-së.