Tatim i ri mbi të ardhurat/ Financat: Përfshihen profesionet e lira, lehtësi për ata që kanë fëmijë

Në Komisionin e Ekonomisë kanë nisur diskutimet për projektligjin për tatimin mbi të ardhurat.

Drafti, që u prezantua nga ministrja e Financave Delina Ibrahimaj, parashikon që ata individë që marrin pagë mujore 50 mijë lekë, të mos paguajnë tatim, duke rritur kështu pragun e patatueshëm të pagës nga 40 në 50 mijë lekë në muaj, ndërsa mban të pandryshuar skemën e tatimit për pagat e tjera, me 13% dhe 23%.

Projektligji po ashtu lehtëson barrën tatimore për të gjithë ata qw marrin nga 50 deri në 60 mijë lekë në muaj: nga 30 mijë lekë që ishte e ardhura e tatueshme me 0%, tashmë njihet zbritje tatimore prej 35 mijë lekësh në muaj.

DELINA IBRAHIMAJ

MINISTRE E FINANCAVE DHE EKONOMISE

“Projektligji parashikon disa zbritje të tjera, zbritje me 48 mijë lekë për të ardhurat për të punësuarit, për çdo fëmijë në ngarkim të tij nën 18 vjeç dhe zbritje deri në 100 mijë lekë për arsimin e çdo fëmije në ngarkim të tij. Do të deklarohen në deklaratën individuale të të ardhurave që të njihen këto si shpenzime.”

Në projektligj parashikohet që në skemën e tatimit nga 1 janari 2023 të futen edhe profesionet e lira, të cilët do të tatohen me norma 15 dhe 23%.

DELINA IBRAHIMAJ

MINISTRE E FINANCAVE DHE EKONOMISE

“Tatimi i personave fizikë tregtarë dhe të vetëpunësuar: 15% mbi fitimin neto kur firimi neto është deri në 14 milionë në vit, 23% për pjesën e fitimit neto mbi 14 milionë në vit. Sistemi progesiv me normat 15% apo 23% është e nevojshme sepse një kategori tatimpunësuesish ruajnë statusin e personit fizik për të shmangur tatimin mbi dividentin si ortakë të biznesit, edhe pse arrijnë të ardhura të larta, dhe nuk kalojnë si person juridik. Për tatimin e individëve apo bizneseve të vogla, personë fizikë në fushën e prodhjimit, tregtisë, transportit, projektligji propozon ruajtjen e skemës ekzistuese të tatimit me tarifë 0, kryesisht për biznesin e vogël familjar, pra prodhim, tregti, transport.”

Nga profesionistët e lirë, futja e tyre në skemën e tatimit progresiv, është kundërshtuar duke e konsideruar si një nismë që prodhon pabarazi mes bizneseve të vogla dhe rrit kostot.

Ndërkohë, projektligji përjashtin nga tatimi dhuratat apo trashëgimitë brenda trungut familjar.