Takimi Merkelit me Vuçiç: Gatishmëria për bisedime në rajon është rritur ndjeshëm, dhe kjo e ndihmon anëtarësimin

Ishte vizita e fundit e Angela Merkelit si kancelare e Gjermanisë në Serbi të hënën. Pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, Merkel zhvilloi një konferencë shtypit në Beograd, ku u shpreh mbi perspektivën e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.Merkel tha, se për BE është “interes absolutisht strategjik që të pranojë këto vende”. Sipas Merkelit do të ketë ndikime nga rajone të tjera të botës tek këto vende, “nëse BE nuk ecën sa duhet shpejt përpara”, dhe se “këtu ndjehen të detyruar të arranzhohen me partnerë të tjerë.”

“Gatishmëria për bisedime është rritur”

Merkel lëvdoi në Beograd progresin e Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit, por paralajmëroi megjithatë për përpjekje të tjera në drejtim të integrimit. “Për hapjen e kapitujve të tjerë të procesit të zgjerimit sidomos në drejtim të sistemit të drejtësisë është shumë e rëndësishme që të bëhen përparime”. Ajo inkurajoi “për hapa të tjerë në drejtim të shtetit ligjor, demokracisë, pluralitetit dhe shoqërisë civile.” Vuçiç i ka premtuar Merkelit, se deri në fund të vitit do të ketë progres në reformën e drejtësisë në Serbi, me qëllim që të hapet një kapitull i ri i bisedimeve të anëtarësimit, u tha në Beograd. Në të njëjtën kohë Merkel paralajmëroi që vendet e Ballkanit Perëndimor të shkojnë së bashku në BE dhe të mos ketë veçim, duke pasur parasysh këtu, Kosovën dhe Bosnje-Hercegovinën, që janë ende larg hapjes së bisedimeve të anëtarësimit.

Merkel u shpreh në Beograd edhe për zgjidhjen e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë, si një kusht për anëtarësimin në BE të Serbisë. Vërtet që disa vende të BE nuk e kanë njohur Kosovën, por ky problem duhet të zgjidhet në fund të procesit të anëtarësimit. “Unë jam për një roadmap, në të cilën të zgjidhen më parë të gjitha çështjet e tjera.”

Merkel, e cila angazhohet prej 16 vjetësh në Ballkanin Perëndimor, u prit në me përshëndetje ushtarake në Beograd. Ky është një udhëtim lamtumire, por ai lidhet edhe me trashëgiminë e Merkelit në Ballkan, e cila do të mbahet mend si iniciatorja e Procesit të Berlinit në vitin 2014. Të hënën duke përmendur sukseset e vogla në këtë drejtim për të ndriçuar pak bilancin jo aq të suksesshëm të Procesit të Berlinit, Merkel theksoi, se si forum bisedimi ai i ka sjellë më afër vendet e armiqësuara të Ballkanit Perëndimor, megjithatë ai nuk e zëvendëson procesin e anëtarësimit. “Por gatishmëria për bisedime në rajon është rritur ndjeshëm, dhe kjo e ndihmon anëtarësimin.” Vëzhguesit e konsiderojnë krijimin e rrjetit rinor ballkanik, sipas modelit francezo-gjerman si një shembull konkret të Procesit të Berlinit./ DW