Takimi me misionin e BB, Sejko: Po punojmë për llogarinë bazike të pagesave

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe drejtues të tjerë të institucionit, zhvilluan të enjten takimin përmbyllës online me Misionin e Bankës Botërore (BB) për Sektorin Financiar (FINSAC). Në këtë takim mori pjesë edhe Përfaqësuesi i Përhershëm i Zyrës së BB-së në Shqipëri, Emanuel Salinas.

Diskutimet u përqendruan në ecurinë e ekonomisë shqiptare, zhvillimet në sistemin financiar, ndikimin e pandemisë në ecurinë ekonomike, zhvillimet në sistemet e pagesave dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme, si dhe pritjet për rimëkëmbjen ekonomike gjatë periudhës së ardhshme. Guvernatori Sejko paraqiti zhvillimet më të fundit në sektorin bankar ku theksoi se sistemi bankar është i mirëkapitalizuar, me likuiditet, me përfitueshmëri të përmirësuar, ndërsa norma e kredive me probleme ka vijuar rënien.

Lidhur me zhvillimet në sistemet e pagesave dhe edukimin financiar, Guvernatori diskutoi me misionin mbi zhvillimet më të fundit në lidhje me Strategjinë Kombëtare për Pagesat me Vlerë të Vogël (2018-2023) si dhe përpjekjet për hartimin e një “Strategjie Kombëtare për Edukimin Financiar”. Në takim, u diskutuan edhe masat e marra deri tani nga Banka e Shqipërisë në lidhje me hartimin e akteve ligjore dhe rregullave të cilat synojnë të transpozojnë Direktivën e Bashkimit Evropian “Për Llogarinë e Pagesës” me synim kryesor krijimin e “llogarisë bazike” që do të nxisë përfshirjen financiare të popullsisë.

Diskutimet u përqendruan në fushën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe konkretisht në operacionalizimin e kuadrit rregullator të përafruar me atë të Bashkimit Evropian. Kështu, gjatë periudhës 2017-2021 është kryer progres në drejtim të kuadrit nën-ligjor të lidhur me ndërhyrjen e jashtëzakonshme, nëpërmjet hartimit të 15 akteve rregullative në përputhje me Ligjin 133/2016 “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë”.

Përfaqësuesit e Misionit të BB-së vlerësuan si mjaft të suksesshme politikat e ndjekura nga Banka e Shqipërisë si në përgjigje të situatës së krijuar nga COVID-19, ashtu dhe në kontributin e vazhdueshëm qe ajo ka dhënë në reduktimin e kredive me probleme, në përmirësimin e kuadrit rregullator, dhe përafrimin e tij me standardet më të mira ndërkombëtare.

Më në veçanti u vlerësuan politika e Bankës së Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit dhe shëndetit të bankave, pavarësisht sfidave dhe vështirësive me të cilat u përball Shqipëria gjatë periudhës së pandemisë.

Bashkëbiseduesit diskutuan mbi projektet e ardhshme të Bankës së Shqipërisë, të cilat mund të mbështeten nëpërmjet asistencës teknike të ofruar nga Banka Botërore./Monitor