Takimi Kurti- Begaj/ Zbardhet biseda, në fokus të diskutimeve takimi i Ohrit

Kryeministri Albin Kurti ndodhet në Tiranë ku po takohet me të gjithë udhëheqësit e shtetit shqiptar. Së pari, ai u ndal tek Presidenti Bajram Begaj. Takimi mes të dyve zgjati rreth 30 minuta. Zyra pë...
Takimi Kurti- Begaj/ Zbardhet biseda, në fokus të diskutimeve takimi i Ohrit
Foto: Takimi Kurti- Begaj/ Zbardhet biseda, në fokus të diskutimeve takimi i Ohrit

Kryeministri Albin Kurti ndodhet në Tiranë ku po takohet me të gjithë udhëheqësit e shtetit shqiptar. Së pari, ai u ndal tek Presidenti Bajram Begaj. Takimi mes të dyve zgjati rreth 30 minuta. Zyra për shtyp e kreut të shtetit ka bërë me dije se në fokus të bisedimeve ka qenë takimi i Ohrit.

“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, priti sot Kryeministrin e Republikës së Kosovës, zotin Albin Kurti, me të cilin bisedoi mbi zhvillimet më të fundit të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Begaj, pasi u informua në detaje mbi negociatat e zhvilluara me Serbinë, të udhëhequra nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përshëndeti lidershipin, maturinë dhe kurajon e treguar nga Kryeministri Kurti dhe ekipi negociator i Republikës së Kosovës, për ta pranuar planin evropian, si dhe për ta nënshkruar e zbatuar atë.

Duke u ndalur te rezultati i takimit të Ohrit, më 18 mars 2023, Presidenti Begaj vlerësoi se dakordësimi publik dhe angazhimi i palëve për të zbatuar planin evropian të normalizimit të marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin përkatës, si një pjesë integrale të tij është një garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Po ashtu mësohet se Presidenti Begaj ka shprehur besimin se zotimi i marrë nga palët në Ohër do të respektohet plotësisht, ndërkohë do të gjenden mekanizmat e duhur për ta kthyer këtë dakordësim publik në një marrëveshje të detyrueshme e të zbatueshme për palët ndërkombëtarisht.

Pas takimit me Begajn, Kurti iu drejtua Kryesisë së Kuvendit ku u prit nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla. Kurti do të takohet edhe me kryeministrin Edi Rama me të cilin do të zhvillojë një drekë pune në vilën qeveritare 30 në kryeqytet.

Kjo është vizita e parë e Kurtit për këtë vit në Shqipëri dhe vjen menjëherë pas takimit ndërmjetues të Bashkimit Europian më 18 mars në Ohër, mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.