Tabaku: Të punësuarit në administratën publike e meritojnë rritjen e vonuar të pagave

Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka marrë fjalën në Kuvend për të diskutuar për rritjen e pagave por u fokusua dhe në zgjedhjet e 14 majit duke thënë se fajin e ka edhe vetë opozita.

Sipas Tabakut, të punësuarit në administratën publike e meritojnë rritjen e vonuar të pagave.

“Të punësuarit në administratën publike e meritojnë rritjen e vonuar të pagave. Pasi qeveria në vend që të punonte për një rritje graduale të pagave dhe padyshim edhe meritokracinë ka investuar në sektorin e korrupsionit. Fatkeqësisht pabarazia në vendin tonë duket se është thellësisht një proces i ndikuar dhe drejtuar nga parlamenti i Shqipërisë. Sa e sa ligje janë miratuar këtu që promovojnë pabarazinë dhe mungesën e mobilitetit social?

E bashkë me këtë administrata publike sot ka nevojë të jetë e pakapur, ka nevojë të jetë jo-politike; ka nevojë të vazhdojë atë që nisi në 2013 po u shkel me këmbë një sistem ku promovohesh pa lidhje partiake. Kur dëgjoj prezantimet e këshilltareve bashkiakë nëpër rrethe, janë të gjithë të punësuar në OSHEE, administratë, drejtori rajonale. I gjithë shteti është i lidhur politikisht! Prandaj largohen sot dhe të rinjtë, sepse duhet patjeter të jesh dikushi, ose familjar i dikushit, ose i lidhur me dikë që punësohet në shtet, që të kesh mundësi të arrish diçka.

Besoj, se shqiptarëve u bëhet vonë për politikën. E kuptojnë shumë mirë se kur e shkuara u përdoret si shantazh për të ardhmen, se kur e shkuara u sillet si barrierë për të mos ndryshuar dhe për të mos luftuar, edhe për gabimet tona si opozitë, ata zgjedhin që të mos votojnë dhe të bojkotojnë. Gjithsesi, kjo nuk duhet të na dekurajojë nga një përpjekje e thjeshtë dhe tërësisht e ndershme për të dëgjuar shqiptarët, demokratët dhe madje edhe socialistë. Për t’i ftuar ato në një angazhim dhe për t’i mikluar që në vend të cinizmit të na ofrojë shansin për t’i përfaqësuar apo për t’u përfaqësuar. E di që shumë prej tyre janë mosbesues ndaj nesh! Nuk u vë faj! Shqipëria sot është një katrahurë ekonomike dhe politike. Besoj se ka vetëm një rrugë për ta shpëtuar vendin nga kjo katrahurë, rikthimi i besimit tek politika, rikthimi i besimit tek ndryshimi. Tek politika si instrument për të bërë mirë e për të ndryshuar çdo ditë, jo sa herë ka zgjedhje! Me çdo mundësi, qoftë dhe me kosto politike për secilin prej nesh”, tha Tabaku.