Super emocione!/ Vllaznia fiton ndaj Tiranës në minutat shtesë (Video)

Ismael Dunga u largua nga Tirana si kampion, por si i nënvlerësuar, pasi vetë drejtuesit e skuadrës kryeqytetase deklaruan se ishte një lojtar që nuk vlente dhe një investim shumë i gabuar i tyre. Pikërisht ky futbollist ishte ai që vendosi sot klasiken e Shqipërisë, duelin ndaj Vllaznisë, duke u dhënë fitoren në shtesë kuqebluve.

Dueli ishte shumë i bukur, me raste nga të dy skuadrat që nuk ngurruan të shfaqnin një lojë ofensive. Vllaznia mbylli pjesën e parë në avantazh me penalltinë e Markut, ndërsa në fillimin e të dytës, Muçi barazoi shifrat duke përfituar nga një pasiguri në prapavijë. Megjithatë ishte përsëri Marku ai i cili ktheu në avantazh vendasit pak çaste më vonë. Loja u rihap nga goli i Sasraku pas një gafe të portierit shkodran dhe më pas u zhvillua një ndeshje e hapur plotësisht me dy skuadrat që krijuan raste për shënim.

Por diferencën në fund e bëri pikërisht Dunga, i aktivizuar si zëvendësues. Në harkimin e fundit në zonë, ai gjeti momentin e duhur për të goditur me kokë dhe realizuar golin e fitores 3-2 që ngjit Vllazninë të parë në rendijte me pikë të plota të shkëputur nga të gjithë ndjekësit.