Sulmohet qendra shendetësore, reagon Ogerta Manastirliu

Qendra shëndetësore në lagjen Skënderbej në Elbasan është gjuajtur me gure ku janë thyer xhamat.  Për këtë kanë  reaguar duke akuzuar opozitën edhe deputet e zonës, ndërsa vetë misnitërja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka dënuar dhunën e ushtruar. Manastirliu ne facebook shprehet:

“Gurët e hedhur sot mbi qendrën shëndetësore në Lagjen Skënderbej në Elbasan, të cilën vetëm pak muaj më parë e rindërtuam me standardet më të mira pas braktisjes prej 4 dekadash, janë një akt agresioni kundër institucioneve jetëshpëtuese, të frymëzuar prej gjuhës së palogjikshme të urrejtjes, që po përdoret këto kohë kundër bluzave të bardha.

Dënoj me forcë këtë akt të dhunshëm, dhe mbështes me forcë punën e çdo mjeku e infermieri që shërben me përkushtim në këto kohë të vështira, në çdo cep të Shqipërisë.

Bluzat e bardha meritojnë mirënjohjen tonë dhe jo dhunën verbale të kujt ka humbur busullën”.