Sulmet e opozitës ndaj SPAK, Balla: Përzgjedhja e prokurorëve është bërë përmes procesit të vetting-ut

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla

Taulant Balla ka reaguar pas sulmeve të opozitës ndaj prokurorëve të përzgjedhur të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK).

Ai ishte i ftuar në emisionin ‘JAVA’ në RTSH ku deklaroi se sulmet e opozitës janë të pakuptimta dhe se përzgjedhja e prokurorëve në SPAK është bërë përmes procesit të imtësishëm të Vettingut.

Sipas Ballës, sulmet e opozitës ndaj drejtuesit të SPAK, Arben Krajës dhe anëtarit të saj Altin Dumanit, janë të pakuptimta.

‘Unë ju thashë që përzgjedhja e Prokurorëve në SPAK është bërë përmes një proçesi shumë të detajuar të Vettingut. Edhe pjesa që lidhet me z. Kraja si drejtues i SPAK për mandatin e parë 3 vjeçar dhe për z. Dumani që kush e di kur para sa vitesh paska pirë një kafe me Ulsi Manjën. Të dyja këto nuk janë arsyetime korrekte, sepse është e pakuptimtë. PD në datë 18 përshëndet ngritjen e SPAK dhe më pas ditën tjetër fillon historinë e radhës për anatemimin e SPAK.

Nuk është hera e parë që Kraja sulmohet për shkak se në ditën e parë të punës së tij ka qëlluar në vitin 1989 apo 1990. Këtë çështje ndaj këtij Prokurori e kam dëgjuar dhe para 10 apo 12 viteve kur ky Prokuror kishte dosjen e rrugës Durrës-Kukës të Lulzim Bashës’, është shprehur Balla./apel.media