Studimi/ Shkëlqimi dhe rënia e LSI dhe PDIU

Në zgjedhjet e vitit 2017, tri parti regjistruan rekorde të larta historike.

Kështu, PDIU-ja i pesëfishoi votat e saj në krahasim me zgjedhjet e 2009-ës (kur u zbatua për herë të parë sistemi aktual elektoral). LSI-ja i trefishoi votata e saj në krahasim me 2009-ën, ndërsa PS-ja mori 1.23 herë më shumë vota.

Nga ana tjetër, PD-ja regjistroi në 2017-ën rekordin e saj më të ulët historik. Ajo mori treçerekun e votave që kishte marrë në 2009-ën (shihni grafikun 1).

Duke pasur parasysh këtë të shkuar elektorale, vlen të ekzaminohet situata e sotme e këtyre partive. Nga sondazhet e fundit që kam zhvilluar në tetor e nëntor, rezulton se PS-ja dhe PD-ja kanë pak a shumë votat e 2017-ës. Ndërsa LSI-ja dhe PDIU-ja, pasi arritën rekorde të larta në 2017-ën, kanë zbritur rreth niveleve të ulta të 2009-ës.

Në fakt, PD-ja pati një rritje graduale në sondazhet e gjysmës së parë të këtij viti, duke iu afruar nivelit të saj të 2009-ës. Por pas dështimit të aksionit të saj për moszhvillimin e votimit në 30 qershor, PD-ja pësoi një firo të ndjeshme votash, duke u rikthyer tek rekordi i ulët i 2017-ës (shihni Grafikun 1).

Siç demonstrohet në Grafikun 2, PS-ja (edhe pse nuk ka rritje votash në krahasim me 2017-ën), ka sot një përqindje më të lartë votash se atëherë (53%), ngaqë pjesëmarrja hipotetike është më e ulët (me rreth 200 mijë më pak).