Specializimet në mjekësi, Koçiu: Më shumë kuota, prioritet mjekët e familjes dhe të urgjencës

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndoqi sot nga afër procesin për zgjedhjen e degëve të specializimeve në mjekësi në Fakultetin e Mjekësisë.
Specializimet në mjekësi, Koçiu: Më shumë kuota, prioritet mjekët e familjes dhe të urgjencës

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndoqi sot nga afër procesin për zgjedhjen e degëve të specializimeve në mjekësi në Fakultetin e Mjekësisë.

 
Në fazën e parë të këtij procesi, kanë aplikuar 430 kandidatë, prej të cilëve 372 janë kualifikuar për procesin e përzgjedhjes në bazë të meritës për 272 kuota pranimi, të miratuara në total nga Senati akademik i Universitetit Mjekësor të Tiranës.

Përzgjedhja e specializimit bëhet në mënyrë transparente nga vetë kandidatët fitues, sipas rendit zbritës të pikëve në listën përfundimtare në bazë të pikëve të fituara.

 
Ministrja Koçiu ka theksuar se studentët që do të nënshkruajnë marrëveshjen me Fakultetin e Mjekësisë për të ndjekur kursin e specializimit, janë një garanci në plotësimin e nevojave për specializantë në të gjithë vendin.

Ajo tha se këtë vit janë hapur më shumë kuota se një vit më parë.


“Të rinjtë sot nisin specializimin me një garanci për punësim të menjëhershëm pas përfundimit dhe me një pagesë që është sa 80% e pagës që do të marrin me fillimin e punës. Për këtë vit kanë aplikuar në total 430 kandidatë nga të cilët, 372 janë kualifikuar për procesin e përzgjedhjes në bazë të meritës. Është merita ajo që shpërblen 272 më të mirët e këtij brezi me fillimin e menjëhershëm të specializimit. Duke planifikuar nevojat tona për sot dhe nesër, kemi hapur më shumë kuota se një vit më parë, por më e rëndësishmja kemi vendosur theksin mbi specialitetet prioritare si mjekësia e familjes apo ajo e urgjencës”, nënvizoi Koçiu.

Ministrja shtoi se “të gjithë ata bëhen pjesë e një sistemi që ofron paga 70% më të larta për të gjithë. Ky proces I rritjes së vlerësimit monetar dhe i shpërblimeve për mjekët do të vazhdojë me 18 mijë mjekë familje dhe infermierë që do të përfitojnë nga një rritje e re e konsiderueshme në muajin korrik të këtij viti”.

 
“Këta të rinj që nesër do të jenë fytyra e mjekësisë europiane, do të bëhen pjesë e një sistemi ku merita dhe punësimi kalojnë përmes filtrit të vetëm që është filtri i meritokracisë. Ndaj, diferenca me të shkuarën është e jashtëzakonshme. Jam besimplotë që falë asaj që po bëjmë bashkarisht, falë ngushtimit të vazhdueshëm të hendekut mes nesh dhe Europës së zhvilluar, zgjedhja e Shqipërisë do jetë një zgjedhje gjithmonë e më popullore, gjithmonë edhe më e lehtë për t’u bërë. Dua edhe njëherë të përgëzoj të gjithë studentët falë të cilëve e ardhmja jonë e përbashkët duket më e sigurt se kurrë më parë dhe dua t’ju uroj të gjithëve suksese në rrugëtimin e tyre”, përfundoi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.