Avokati Spartak Ngjela ka komentuar deklaratat e Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili më herët tha se ishte në dijeni të gjuhës së ashpër të presidentit Meta ndaj ambasadave dhe ishte duke e vëzhguar situatën.
Sipas Ngjelës, DASH ia ka bërë të qartë Metës se ai është antireformë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, avokati shkruan se Shqipërisë nuk do t’i vijë më një President më të paturpshëm se ky.
“Sot, Departamenti Amerikan i Shtetit iu përgjigj me elokuencë Metës duke i thënë:
Ti, zoti Meta, je antireformë. Por reforma do të vijojë se është jetike për Shqipërinë.
Ky është thelbi i përgjigjes. Ndërsa, për atë të shtetit të ambasadorëve në vend të shtetit të së drejtës, që tha Meta dje, DASH i tha se, “kryesor është zbatimi i ligjit”.
President më të paturpshëm se ky, nuk do t’i vijë më Shqipërisë. Edhe Sali Berisha e humbi toruan në luftën e tij me Uashingtonin në vitin 1997, por, të gjitha absurditetet nuk i tha botërisht si president, por në telefon me ta.
Kurse Metën e kërcënon edhe penaliteti për shkelje të mëdha të ligjit, prandaj e ka kaq të madhe shthurjen mendore. Edhe DASH, kështu i thotë: “kryesorja është respektimi i ligjit”.
Nuk ndalohet dot kjo reformë, kot lodhet Meta. Dhe DASH njofton gjithashtu se Byroja Kombëtare e Hetimit është duke u ngritur.
Po Meta?
Tani do të kthejë… duke pritur fatin e tij drejt hetimit: kjo duhet të jetë rruga e tij. Të shohim…”,- shkruan Spartak Ngjela./apel.media