S&P konfirmon vlerësimin “B+” si dhe me perspektivë “të qëndrueshme”

Standard & Poor’s parashikon se rritja reale e PBB-së do të ngadalësohet në 2.4% këtë vit për shkak të kërkesës më të dobët nga Evropa, politikës monetare më të shtrënguar dhe reduktimit të stimul...
S&P konfirmon vlerësimin “B+” si dhe me perspektivë “të qëndrueshme”
Foto: S&P konfirmon vlerësimin “B+” si dhe me perspektivë “të qëndrueshme”

Standard & Poor’s parashikon se rritja reale e PBB-së do të ngadalësohet në 2.4% këtë vit për shkak të kërkesës më të dobët nga Evropa, politikës monetare më të shtrënguar dhe reduktimit të stimulit fiskal. Më pas, rritja do të rikuperohet në një mesatare prej 3%, e mbështetur nga lehtësimi i kushteve financiare dhe përmirësimi i aktivitetit ekonomik global.  Deficiti fiskal do të ngushtohet në 3.2% të PBB-së në vitin 2023, në përputhje me zotimin e qeverisë për të vazhduar konsolidimin fiskal si dhe për të balancuar financat publike.

Perspektiva e qëndrueshme pasqyron pikëpamjen e agjencisë se Shqipëria mund të vazhdojë të menaxhojë efektet indirekte ekonomike nga konflikti Rusi-Ukrainë. Sipas agjencisë vlerësimet mbështeten nga perspektiva e moderuar e rritjes ekonomike të Shqipërisë dhe fleksibilitetit të saj monetar nëpërmjet regjimit të kursit të lirë të këmbimit dhe rezervave valutore relativisht të larta. Këto në veçanti, vazhdojnë të shërbejnë si amortizues të rëndësishëm ndaj goditjeve të mundshme të jashtme. Për më tej, pavarësisht goditjeve të jashtme të viteve të fundit me të cilat është përballur vendi, agjensia beson se autoritetet do të rikthehen në pozicionin e tyre kosolidues fiskal, duke ulur kështu borxhin publik në vitet e ardhshme.

Me rëndësi është që agjencia beson se autoritetet do të respektojnë rregullat e tyre fiskale siç përcaktohen në Ligjin Organik të Buxhetit (OBL). Këto rregulla fiskale përcaktojnë që qeveria duhet të arrijë një balancë primare që prej vitit 2024 dhe të targetojë raportin e borxhit ndaj PBB-së në rënie të vazhdueshme derisa ai të bjerë dhe qendrojë poshtë nivelit 45%. Agjencia vë në dukje se autoritet po synojnë një balancë primare poziteve që në vitin 2023, një vit përpara afatit.

Agjencia parashikon që deficiti i llogarisë korente mbetet përgjithësisht i qëndrueshëm, në 6.9% të PBB-së në vitin 2023, kryesisht për shkak të importeve më të lira të energjisë dhe lëndëve të para. Megjithatë, deficiti tregtar i mallrave të Shqipërisë do të mbetet relativisht i lartë, por do të kompensohet disi nga një rritje e fortë në remitancat e emigrantëve dhe eksportet e shërbimeve, në veçanti të ardhurat nga turizmi. Gjatë viteve të ardhshme, deficiti i llogarisë korente pritet të vazhdojë të ngushtohet me rritjen e aktivitetit ekonomik global, uljen e çmimeve të mallrave dhe me rimëkëmbjen e të ardhurave nga turizmi. Flukset hyrëse neto të investimeve të huaja direkte (IHD) dhe huamarrja e jashtme pritet të vazhdojnë të financojnë deficitin e llogarisë korente.

Sektori bankar i Shqipërisë vlerësohet likuid, i mirëkapitalizuar dhe fitimprurës. Kreditë me probleme arritën në 5% të kredive në dhjetor, krahasuar me një kulm prej gati 25% në vitin 2014.

Anëtarësimi në BE ka mbetur një prioritet kyç i politikave të administratave qeveritare të njëpasnjëshme, që kur Shqipëria u shpall kandidate në qershor 2014.