Sovraniteti i Presidentit për Kushtetuesen/ Ngjela: Meta është fisheku i fundit i Berishës

Avokati i njohur Spartak Ngjela ka folur në lidhje me veprimet e fundit të Presidentit Meta, pasi ky i fundit iu kundërvu edhe ambasadorëve. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ngjela shkruan se Me...

Avokati i njohur Spartak Ngjela ka folur në lidhje me veprimet e fundit të Presidentit Meta, pasi ky i fundit iu kundërvu edhe ambasadorëve.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ngjela shkruan se Meta po kërkon sovranitet sepse: “çerdhja e madhe e hajdutëve që kanë grabitur shqiptarët në 29 vjet, të sundojnë shqiptarët me paratë që ata iu kanë grabitur shqiptarëve”.

Sipas Ngjelës, takimi i Presidentit me ish-kryeministrin tregon se Meta është fisheku i fundit i Sali Berishës.

Postimi i plotë:

Çfarë do të ndodhte me një president të tillë në një vend demokratik?

Do të shkarkohej nga Parlamenti sa më shpejt, dhe do të priste derisa të mblidhej Gjykata Kushtetuese. Pas shkarkimit nga Parlamenti, Presidenti i Republikës nuk ka forcë juridike derisa të dalë para Gjykatës Kushtetuese. Kjo vendos pastaj: kthehet apo nuk kthehet Presidenti sërish në zyrë me kompetenca të plota.

Po Rama dhe mazhoranca, ku janë?

Kurse Sali Berisha vajti dje ta uronte Metën për antiamerikanizmin e tij, dhe Meta sot i shpalli luftë Amerikës me një fishek.

Edhe Saliu i shpalli luftë Amerikës me një fishek në vitin 1996-1997, por fluturoi si një rreckë e flakur. Tani e paska shpresën te fisheku i Metës. Dhe te lufta për sovranitet që na paska hapur Meta.

Duhet të kujtohemi: tragjedinë nga komedia e ndan një diç shumë i vogël. Kurse Saliu, mirë që harroi vitin 1997, por, siç duket, paska harruar edhe Brian Yi-në që e nxori me forcë e si një gogël nga çadra në vitin 2017.

Por Meta po kërkon sovranitet.

E dini se çfarë është “sovraniteti Meta”? Sovraniteti Meta është që Meta dhe çerrdhja e madhe e hajdutëve që kanë grabitur shqiptarët në 29 vjet, të sundojnë shqiptarët me paratë që ata iu kanë grabitur shqiptarëve.

E pra, për aleatët tanë të mëdhenj kjo është komedi. Ndërsa për Metën e kompani, kjo është tragjedi.

Por, të gjithë këta të korruptuar e krijuan vetë tragjedinë e tyre: këta vodhën para për të arritur lumturinë, dhe kapën shkatërrimin e tyre tërësor.

Kështu do të shkruajë historia për ta./old.apel.media