Skandali me ndihmat/ Biznesmenin nuk e orientojnë se ku t’i shpërndajë

Pasardhësi i patriotit të njohur Hasan Prishtina, biznesmeni Mehmet Prishtina ka udhëtuar nga Kosova me ndihma për qytetarët shqiptarë, të prekur nga tërmeti.

Ai ka ardhur sëbashku me 9 persona të tjerë nga fshatu Polac. Ata u kanë zbrazur tre kamionat pranë kampit në stadiumin “Niko Dovana”.

Por, mesa duket organizimi është shumë i dobët, pasi askush nuk i ka orientuar për të shpërndarë ndihmat.

“Jam Mehmet Prishtina në cilësinë e përfaqësuesit të trungut familjar Hasan Prishtina. Kemi ardhur 10 veta. Kemi sjellë tre kamionë me ndihma, ushqimore, vëshëmbathje, batanije, gjëra elementare që i duhen një rasti emergjent. Nuk kemi prit organizim institucional sepse mendojmë se në raste emergjente duhet të organizohemi vetë.Kemi sjellë dhe 1500 euro. Por po vërejmë se këtu është një organizim i çorientuar, kemi një orë e gjysmë që sorollatemi rrugëve dhe nuk dimë ku të dorëzojmë ndihmat. Shpresojmë se ndihmat mos të keqpërdoren sepse kemi përgjegjësi morale.Kemi dhe mesazh nga bashkësia lokale ku 30-50 familje mund të strehohen në fshatin tonë.Jemi shumë të prekur. Më kthehet kujtesa e vitit ’99 ku gjithë Shqipëria hapi dyert për ne. Ne jemi të gatshëm të kthejmë atë ndihmë”,- tha ai.