Ditën e djeshme qarkulloi në media skandali me librin e klasës së tetë, ku në hartë mungonte Kosova.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministrja e Arsimit, Besa Shahini shkruan se ka ndjerë shumë keqardhje kur e ka parë këtë gabim, i cili sipas saj është i paqëllimshëm.
Më tej Ministrja thotë se shtëpia botuese do të detyrohet menjëherë që të rregullojë gabimin.
“Më erdhi keq kur pashë të postuar në rrjete sociale një faqe të një libri me pasaktësi në hartën e rajonit të Ballkanit.
Kosova është Republikë dhe njihet si e tillë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, 23 vende anëtare të BE-së, SHBA-të dhe shumë shtete të tjera aleate. Por nga autori i librit, te artisti grafik, te redaktori i shtëpisë botuese e deri te komisioni që ka dhënë OK për botim, nuk kanë qenë në gjendje ta vërejnë mungesën e shtetit të Kosovës në të!
Ky është natyrisht një gabim i paqëllimshëm dhe s’është i vetmi, megjithëse janë bërë përmirësime kolosale në korrigjimin e teksteve shkollore. Por padiskutim që nuk do të duhej të ekzistonin pasaktësi të tilla në librat shkollorë!
Lajmi i mirë është se kjo ka ndodhur ndërkohë që po zhvillohet procesi i kontrollit të librave shkollorë, pasi sivjet është mbyllur procesi i hartimit të librave të rinj. Pastaj do të vihet në lëvizje detyrimi për shtëpitë botuese që t’i adresojnë menjëherë me fletë plotësuese gabimet e konstatuara, ndërsa në vijim me redaktim të plotë”,- shkruan Shahini./ apel.media