Situatë alarmante në Kosovë, shumë qytetarë po braktisin nënshtetësinë

 

Tashmë Kosova ka hyrë në një krizë të madhe ekonomike dhe politike. Gjatë vitit 2019, mbi 5 mijë qytetarë kanë hequr dorë nga nënshtetësia e tyre, për të zgjedhur një nga vendet e Bashkimit Europian që nuk lejon dyshtetësinë, kryesisht në Gjermani, Austri, Kroaci dhe Slloveni.

Analistët politikë deklarojnë se numri kaq i madh i qytetarëve që kanë hequr dorë nga nënshtetësia është një çështje alarmante. Gjithashtu ata shprehen se kjo është një situatë tepër shqetësuese, pasi një gjë e tillë mund të krijojë një krizë identitare në Kosovë.

Analisti politik Skender Zogaj, ka thënë se Kosova është duke përjetuar një krizë të madhe politike dhe ekonomike e cila po thellohet. Ai shprehet se Kosova është duke i përjetuar pasojat, tashmë të pashërueshme dhe afatgjata, sepse kjo krizë është duke e lënduar rëndë edhe embrionin identitar, që nënkupton prishjen etno gjenetike.

“Dëshmia më e mirë është heqja dorë nga nënshtetësia, që është manifesti më drastik i shpërbërjes identitare, sepse pjesa që heq dorë nga shtetësi e Kosovës, merr nënshtetësi tjetër dhe, automatikisht i nënshtrohet obligimeve të tjera. Pra ngarkohet me përgjegjësi të tjera, për ta kuptuar këtë fatkeqësi tragjike, le të kemi parasysh fatin e shqiptarëve të shpërngulur në Turqi, që kurrë më nuk mund t’i rikthehet normalitetit të vet identitar. Kjo fatkeqësi u ka ndodhur edhe mbi 500 mijë shqiptarëve që në 30 vitet e kaluara kanë marrë nënshtetësi të vendeve të ndryshme të botës, dhe këtyre do t’u bashkëngjiten edhe 5 mijë qytetarët që viteve të fundit kanë hequr dorë nga nënshtetësia”, ka thënë analisti politik Skender Zogaj.

Skënder Zogaj ka thënë se arsyeja e kësaj dukurie fatkeqe janë vështirësitë ekonomike e sociale të shkaktuara nga kriza e thellë politike dhe mosfunksionimi i shtetit ligjor. Kjo gjë rrezikon qëndrimin e qytetarëve, të cilët janë të detyruar të përpiqen për mbijetesë duke u larguar nga vendi. /apel.media