Enea Bekteshi dhe Suel Çela u përballën me drejtësinë të akuzuar për vrasjen e një punonjësi policie, të mbetur në tentativë. Gjithsesi pavarësisht akuzës Gjykata doli në përfundimin se nuk mund të provohej prania e Suel Çelës në vendin e ngjarjes në Shtator të vitit 2017.
Duke marrë parasysh provat dhe faktet e paraqitura në sallën e gjyqit treshja e gjyqtarëve është shprehur se Bekteshi është fajtor për “Kundërshtim të punonjësit të Policisë” dhe “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”. Këto akuza kanë bërë që ky i fundit të dënohet me 6 vite heqje lirie. Gjithashtu duke pasur si referencë faktet, Gjykata ka arritur të dalë në përfundimin se Bekteshi ka qenë në makinën “Audi”.
Bekteshi mësohet se ka shoqëruar për në aeroport vëllain e Suel Çelës. Pasi është kthyer nga aeroporti ai ka marrë për një shëtitje makinën Audi. Rreth orës tetë kur ai është kthyer në treg ka ndodhur ngjarja ku ai ka kundërshtuar dhunshëm punonjësit e policisë. Kjo ka mundur të provohet edhe falë shenjave të gishtave, të cilat janë gjetur në vendngjarje në pjesën e brendshme të pasqyrës në krahun e shoferit dhe jo në pjesën e pasagjerit, fakt ky që vërteton edhe prezencën në makinë të Bekteshit.
Ky fakt është provuar dhe nga një përgjim që i është bërë Enea Bekteshit në komisariat teksa bisedonte me kunatin e tij.
Ndërkohë që pas gjithë kalvarit gjyqësor, mësohet se gjykata nuk ka arritur që të provojë prezencën e Suel Çelës në makinën Audi që përplasi makinën e policisë. Prova e vetme që mund të lidhej me Çelën ishte një cigare puro e gjetur në makinë. Mirëpo kjo provë nuk u mbështet nga dëshmitë e punonjësve të policisë, të cilët u shprehën se në makinë kanë parë vetëm një person, duke rënë në kundërshtim me pretendimet e Prokurorisë, e cila pohonte se në makinë kanë qënë dy persona, përkatësisht Suel Çela dhe Enea Bekteshi.
“Shpalljen e pafajshëm të Suel Çelës për akuzën e ‘Kundërshtimit të punonjësve të Policisë’ dhe ‘Goditjes për shkak të detyrës’. Pasi nuk janë gjetur prova që mbështesin pretendimin e Prokurorisë që i pandehuri ka qenë në drejtim të makinës ‘Audi’. Materiali biologjik i gjetur në puron në makinë, vërteton faktin se i pandehuri ka përdorur këtë mjet, por jo se në atë moment ka qenë në drejtim. Gjithashtu, 4 nga punonjësit e Policisë të pyetur në Gjykatë kanë thënë se në makinë kanë parë vetëm një person dhe një prej dëshmitarëve ka mohuar, duke pohuar me siguri që ai nuk ishte Sueli, pasi do ta kishte njohur. Nuk janë sjellë në gjykim prova të tjera për vërtetimin e pretendimit se në ‘Audi’ ka qenë i pandehuri Suel Çela”, u shpreh Gjykata./ apel.media