Një yll
Natë e çuditshme sonte. S’po kam gjumë. Qindra mendime po më vijnë në kokë. Mendime nga më të ndryshmet, siç i ndodh shpesh të gjithë moshatareve të mijë.
Ah, se harrova të prezantohem. Jam Lea, 8 vjeçe, nga qyteti më i bukur në botë që quhet Durrës. Unë shkoj në klasën e tretë dhe jam shumë, shumë kurioze. Pyes pafund për gjithçka ndodh përreth meje. Shpesh herë mami mërzitet nga pyetjet e mia të njëpasnjëshme, por në fund dorëzohet dhe më jep përgjigje. Babi nuk mërzitej asnjëherë. Eh, babi im. Ai ishte më i miri i Durrësit. Pse jo, më i miri i botës. Ka tre vite që ai është në qiell. Nga atje më shikon çdo ditë dhe më dërgon puthje. Edhe unë ia kthej. Çdo ditë kur hyj në shkollë, i dërgoj një puthje me duar. Era ia dërgon puthjet e mia, jam e sigurt.
Më duket se nuk ju thashë, mami im është piktore. Në shtëpi janë gjithandej pikturat e saj. Shpesh herë mami më thotë se jeta është plot ngjyra të bukura e se unë sa më shumë do të rritem, aq më shumë ngjyra do të shtohen. Ashtu siç i ka ndodhur asaj, që tashmë e ka jetën më të gjitha ngjyrat e botës. Mua mes tyre, kuptohet eee. Në të vërtetë, nuk është krejt kështu. Ajo qan e mërzitet shpesh. E dëgjoj nganjëherë kur flet me shoqet dhe thotë se jeton vetëm për mua.
Sa shumë mendime paskam sonte. Mami po flë këtu pranë meje. Sa e bukur është. Të gjithë e thonë këtë. Por kjo bukuria që po fle këtu është vetëm e imja. Duhet ta dini edhe ju këtë. I afrohem dhe e përqafoj. E shtrëngoj dhe e puth te buza. Se ashtu puthemi ne çdo ditë kur zgjohem, kur më lë te shkolla, kur më merr dhe kur flej. Katër herë janë? Po, katër qenkan.
Disa shoqe qeshin sesi me puth mami te buza. Sa budallaqe janë. Po është mami im ajo moj budallaqe. Më puth dhe e puth ku duam ne. Tamam budallaqe.
Ufaaa, sa mendime paskam sonte. Gjumi se nga më ka humbur. E di se në mëngjes kur të degjoj zilen, do fsheh kokën poshtë batanijes. Ai gjumi në mëngjes është gjithmonë i bukur.
Thonë se po numërove yjet, të vjen gjumi. Ja ta provoj. Një nga ata yje është babi im. Këtë ma ka thënë mami. Por ne se dimë se cili është. Kur të bëhemi edhe ne yje, atëherë do ta shoh babin se do ta kem afër. Disa yje që shkëlqejnë më shumë, janë fëmijë që kanë shkuar në qiell. Por unë nuk kam qejf të shkoj fëmijë. Punë e madhe se do të shkëlqej më pak se të tjerët.
Prapë s’po vjen gjumi. Ora në mur ka kaluar 03.00. Ndoshta se besoni por unë e njoh orën. Ja, 03.30, 03.40, 03,50…. 03.54….
Unë isha Lea. Isha një vajze 8 vjeçe nga Durrësi, qyteti më i bukur në botë. Sot jam një yll. Më i ndrituri nga të gjithë. Këta dy yjet anash meje, janë mami dhe babi im. Do ju ndriçojmë gjithmonë.
(Nga Taulant Kopliku- Në kujtim të viktimave të tërmetit të 26 nëntorit 2019)