“Shteti i parë shqiptar”, Fuga: U krijua nga Skënderbeu me Lidhjen e Lezhës

I ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, akademiku Artan Fuga ka diskutuar në lidhje me shtetformimin e shtetit shqiptar.

Ai u shpreh se shteti i parë shqiptar nuk është ai i 1912 me ngritjen e flamurit në Vlorë, por ai i krijuar nga Skënderbeu me Lidhjen e Lezhës.

“Në albanologji, ka një lloj vazhdimësie në kohë lineare, është menduar që fillimisht është formuar kombi shqiptar në shekullin e 19, gjysma e dytë e shekullit, dhe në momentin që kombi është formuar, ndërgjegjja kombëtare ka qenë e formuar, në 1912 si rezultat i tensioneve dhe situatave gjeopolitike dhe si rezultat i strategjive kombëtare të vendeve ballkanike, u bë e mundur që Ismail Qemali të shpallë Shqipërinë vend të pavarur dhe ngriti flamurin.

Në Turqinë, Sami Frashëri, thotë se kanë lulëzuar rrënjë bimësh, metafora e identiteteve kombëtare të kombeve. Lë të nënkuptohet se edhe nën një perandori, përsëri kemi formimin e identiteteve kombëtare, jo vetëm nga Shqiptarët por edhe në vendet e tjera ballkanike.

Unë mbaj një pozicion personal, rrënjët dhe origjinën dhe pjekurinë kombëtare nuk e gjej në shek. 19, por në shek. e 15 dhe që lidhet me epopenë e Skënderbeut. I referohem historianëve të asaj kohe dhe letrave Skënderbeut me Papatin dhe dokumenteve të kishës. Gjej që kemi një ndërgjegje arbërore. një shtet të Arbrit që Skënderbeu e konfirmoi në Lidhjen e Lezhës. Kemi atë që themelon një komb, dëshira për të qenë bashkë. Në atë kohë krijohet edhe shteti i Skënderbeut në formën që mund të kishte na atë kohë sepse s’mund të kërkojmë një shtet modern atëherë. Kjo ndikoi në formimin e  kombit. Herë është shteti që ndikon në formimin e kombit herë e kundërta. E shoh një marrëdhënie ndërvarësie dhe jo lineare.

Kombet ngrihen mbi eshtrat e të vrarëve. Në atë kohë kemi një përballje ushtarake me fuqinë më të madhe të kohës, përpjekje për tu diferencuar. Edhe kombi dhe shteti i pavarur në atë kohë është para ndikimeve osmane në Shqipëri dhe jo një realitet pas otoman. Të thuash që nisi në shekullin 19 është për mua e mbështetur në një ideologji staliniste nga e cila mendoj se ende nuk jemi çliruar”, tha Fuga./bw