Shtetet e Bashkuara kryejnë ekzekutimin parë të një gruaje që nga viti 1953

Një grua nga Kanzasi u ekzekutua të mërkurën për vrasjen e një gruaje shtatzënë në Misuri, të cilës i nxori mori foshnjën e palindur, duke shënuar herën e parë në gati shtatë dekada që qeveria amerikane ekzekuton një grua të burgosur.

Lisa Montgomery, 52 vjeçare, u shpall e vdekur në orën 1:31 pasi ju dha një injeksion vdekjeprurës në kompleksin federal të burgjeve në Terre Haute të Indianas. Kjo çoi në 11 numrin e të burgosurve të ekzekutuar me injeksion vdekjeprurës që nga korriku kur presidenti Donald Trump, një mbështetës i flaktë i dënimit me vdekje, rifilloi ekzekutimet federale pas 17 vjetësh.

Ndërsa një perde ngrihej në dhomën e ekzekutimit, Lisa Montgomery dukej e hutuar teksa vështroi gazetarët që e ndiqnin pas një xhami të trashë. Ndërsa filloi procesi i ekzekutimit, një grua që qëndronte mbi shpatullën e Montgomeryt u përkul, hoqi butësisht maskën nga fytyra e saj dhe e pyeti nëse kishte ndonjë fjalë të fundit për të thënë. “Jo”, – u përgjigj Montgomery me një zë të mbytur. Ajo nuk tha asgjë tjetër.

“Etja për gjak e një administrate të dështuar u shpërfaq në tërësi sonte”, tha avokatja e Lisa Montgomeryt, Kelley Henry. “Të gjithë ata që morën pjesë në ekzekutimin e Lisa Montgomery duhet të ndjehen të turpëruar”, tha ajo.

Lisa Montgomery vrau 23 vjeçaren Bobbie Jo Stinnett në qytetin Skidmore në veriperëndim të Misurit në vitin 2004. Ajo përdori një litar për të mbytur Stinnettin, që ishte shtatzënë në muajin e tetë dhe më pas mori foshnjën nga barku i saj me një thikë kuzhine. Lisa Montgomery e mori fëmijën me vete dhe u përpoq ta paraqiste si të bijën.

Ekzekutimi i saj pasoi debate ligjore para se Gjykata e Lartë t’i hapte rrugën dënimit me vdekje.

Gruaja e fundit e ekzekutuar nga qeveria federale ishte Bonnie Brown Heady më 18 dhjetor 1953, për rrëmbimin dhe vrasjen e një djali 6-vjeçar në Misuri.

Presidenti i zgjedhur Joe Biden ka thënë se është në favor të heqjes së dënimit me vdekje. /VOA