“Shtëpia e Maks Velos nuk do të bëhet muze”/ Gjykata e Tiranës rrëzon vendimin e Ministrisë së Kulturës

Shtëpia e artistit të madh Maks Velo pas vdekjes u shpall monument kulture dhe u mor në mbrojtje nga shteti.

Lajmin për shpalljen e Monument Kulture të katigorisë së dyte në maj pas vdekjes së artistit e dha Ministria e Kulturës.

Por, mësohet se ky vendim është shfuqizuar nga Gjykata e Tiranës pas një padie që ka ngritur nipi i Maks Velos, që është edhe trashëgimtar i tij.

Nipi i është drejtuar gjykatës duke pretenduar se i është cënuar e drejta e pronësisë së tij.

Mediat raportojnë se nuk është respektuar parimi i ligjshmërisë,  parimi i transparcës, parimi i informimit, parimi i ushtrimit të ligjshëm të diskrecionit, parimi i proporcionalitetit, i drejtësisë dhe paanësisë, parimi i objektivitetit, përgjegjësisë dhe deburokratizimit dhe i eficencës.

“Nuk e kuptojmë se si ky proces mund të ndodhë paraprakisht, kur në fakt duhet të ishte një proces invers. Kuptojmë që kjo nismë erdhi si pasojë e një emocioni të momentit dhe ndoshta për të treguar se sa shumë e donim dhe vlerësonim të ndjerin xhaxha, por duket qartazi që është një nismë jo vetëm e pamenduar mirë, por në kufijtë e talljes dhe të papërgjegjshmërisë”, është shprehur në padinë e ngritur trashëgimtari i Velos.

Ligji për trashëgimitë edhe muze një ndërtesë duhet të shpallet Monument Kulture për vlerat e spikatura arkitektonike edhe për pamjen e jashtme.

Gjykata ka vlerësuar se Ministria e Kulturës nuk ka respektuar standardet e procesit të rregullt ligjor, sepse nuk i kanë dhënë mundësi paditësit për t’u dëgjuar dhe mbrojtur në këtë proces, që në thelb kufizon të drejtën e pronësisë. Për këtë arsye gjykata ka shfuqizuar Urdhrin nr. 163, date 08.05.2020 “Per deklarimin e pasurise kulturore te objektit “Banesa ku ka jetuar Maks Velo, rruga “Hoxha Tahsim”, nr. 57/2” Tirane”, i Ministrit të Kulturës dhe vendimin nr. 130 datë 08.05.2020 dhe i Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, sepse janë në kundërshtim me ligjin nr. 27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”.