Shqiptarët e Kosovës drejt ikjes masive në Gjermani/ Ambasada Gjermane në Prishtinë: Kërkesa për termin, shumë e madhe

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka njoftuar se kërkesat për termine me datën 7 tetor 2021, sipas Rregullores për Ballkanin Perëndimor për muajin nëntor, kanë qenë shumë të mëdha. Ambasada shpjegon se terminet për muajin nëntor janë rezervuar brenda vetëm pak minutave dhe lista e pritjes për termine është dashur të mbyllet sërish.
“Për shkak të kërkesës së madhe, kontingjenti për muajin nëntor është plotësuar. Sistemi i rezervimit të termineve i nënshtrohet standardeve të larta të sigurisë dhe administrohet në mënyrë të centralizuar në Gjermani.

Megjithatë kapacitetet tejet të larta të sistemit të termineve që është në dispozicion në mbarë botën nga Ministria e Jashtme Federale në Berlin, pengesat afatshkurtëra në sistem në raste të qasjeve të shumta në të njëjtën kohë, fatkeqësisht jo gjithherë mund të mënjanohen”, thuhet në komunikatën e ambasadës.
Sipas saj, lista e pritjes për termine për dhjetor do të hapet në fillim të nëntorit. “Koha e saktë e hapjes së ardhshme do të bëhet e ditur paraprakisht në faqen tonë të internetit: www.pristina.diplo.de”, thuhet në komunikatë.


Ambasada gjermane shpjegon se prej fillimit të vitit 2021, në fuqi është pjsesa shtesë e “Rregullores për Ballkanin Perëndimor“, e cila do të jetë në fuqi deri nw fund të vitit 2023. Sipas kësaj Rregullore, punonjësit nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një qasje të privilegjuar në tregun gjerman të punës.
“Kusht për dhënien e vizës mbetet miratimi i Agjencisë Federale të Punës. Brenda një viti kalendarik mund të lëshohen maksimalisht 25.000 miratime për aplikacione të tilla, prej tyre 5.500 në vit për aplikues nga Kosova”.