Shqipëria pjesë e mekanizmit europian për Mbrojtjen Civile, Peleshi: Jo thjesht si përfitues, por edhe si kontributorë

Shqipëria bëhet pjesë e mekanizmit të BE për Mbrojtjen Civile për të përmirësuar parandalimin dhe reagimin ndaj fatkeqësive natyrore.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi dhe Komisioneri Evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez LENARČIČ firmosën sot, në mjediset e Kryeministrisë marrëveshjen për anëtarësim në Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile.

Kërkesa për anëtarësim u dorëzua nga Kryeministri Edi Rama në qershor të këtij viti. Pas firmosjes së marrëveshjes, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi vlerësoi në konferencën e përbashkët me Komisionerin Evropian Z. Leanercic, mbështetjen që Mekanizimi Evropian i Mbrojtjes Civile i ka dhënë Shqipërisë.

“Mekanizmi Evropian ka qenë pranë nesh në ditë të vështira të Emergjencave Civile, fatkeqësive natyrore, të cilat kulmuan në nëntor të vitit 2019, me tërmetin dramatik që pësoi Shqipëria.

Por, sot ne jemi anëtarë të këtij mekanizmi, që do të thotë se ne sot marrim pjesë jo thjesht si përfitues, por marrim pjesë edhe si kontributorë në tryezat ku përgatiten politikat, masat, aktet e Mbrojtjes Civile për të gjithë hapësirën e Ballkanit, e BE-së”, u shpreh ministri Peleshi.

Ministri Niko Peleshi tha se Shqipëria ka nevojë për ngritjen e kapaciteteve dhe me këtë anëtarësim përfiton shumë.

Nga ana e tij, Komisioneri Evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez LENARČIČ u shpreh se: “Sot është një ditë e rëndësishme për Shqipërinë. Ky është një hap kyç përpara në procesin historik drejt anëtarësimit të Shqipërisë në BE, por edhe për mbrojtjen dhe sigurinë”.

I pranishëm në firmosjen e marrëveshjes ishte dhe Drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes Civile Haki Çako.
Me firmosjen e kësaj marrëveshje Shqipëria merr statusin e vendit pjesëmarrës në Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile.

Anëtarësimi në Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile, mundëson forcimin e kapaciteteve, arritjen e standardeve të duhura në teknologji, mjete dhe pajisje bashkëkohore, trajnime dhe çertifikime të ekipeve shqiptare, të cilat do të ndërveprojnë me ekipet evropiane në raste fatkeqësish natyrore dhe atyre të shkaktuara nga dora e njeriut.