Shqipëria me një park teknologjik, zhvillim shkencor pa taksa

Shqipëria do të ketë një park teknologjik. Së shpejti pritet të miratohet ligji që lejon krijimin e një mjedisi të përbashkët për shkencëtarët, si dhe startup-e në fushën e teknologjisë. Por çfarë është një Technopark?

“Parku teknologjik ofron një mundësi shumë të mirë për ndërtimin e një ekosistemi aty brenda të shumë aktorëve, duke filluar nga akademitë, bota e kërkimit, investitorët, inkubatorët dhe akseleratorët”, thotë eksperti IT Arjan Ymeri.

Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria si një treg tejet i ri është e prapambetur në digjitalizim dhe këtë e dëshmon edhe mungesa e një mjedisi të tillë. Inovacioni është nxitësi kryesor strategjik për zhvillimin ekonomik të një vendi, ndaj sipas ekspertit Ymeri, koncepti i këtij parku synon të tërheqë kompani të huaja si një burim i mirë investimesh.

“Koncepti funksionon mjaft mirë në vendet e huaja, ne kemi parë sa shumë e ndihmon ekosistemin lokal për ato startup-e që kanë nevojë për një ndihmesë fillestare”, shton ai.

Në aspektin ligjor, programi i ofruar nga një Technopark i mundëson firmave të aksesojnë lehtësisht burimet e inovacionit dhe të ulin kostot e të bërit biznes.

Disa nga lehtësitë fiskale që parashikon projektligji janë heqja e TVSH-së për mallrat dhe pajisjet e përdorura në park, kostot e trajnimeve për punonjësit rimburësohen pjesërisht nga shteti, aktivitetet që zhvillohen brenda parkut nuk do të tatohen për 15 vite të njëpasnjëshme, e po ashtu edhe pagat e personelit përjashtohen nga taksat për një periudhë 10-vjeçare.

Për njohësit e fushës, kalimi nga ekonomia tradicionale në ekonomi digjitale ka nevojë për zhvillim të një ekosistemi të inovacionit. Një hapësirë e tillë ka potencialin të bëhet një qendër jetike për të gjithë të apasionuarit e fushës./A2CNN