Shqipëria dhe rajoni kanë potenciale të mëdha në zhvillimin e energjive të rinovueshme

Flet Tima Iyer Utne, Zv.presidente e “Statkraft” për Azinë Jugore dhe Europën Jugperëndimore Prodhuesi më i madh i energjive të rinovueshme në Europë, “Statkraft”, e sheh Shqipërinë tërheqëse për inve...
Shqipëria dhe rajoni kanë potenciale të mëdha në zhvillimin e energjive të rinovueshme
Foto: Shqipëria dhe rajoni kanë potenciale të mëdha në zhvillimin e energjive të rinovueshme

Flet Tima Iyer Utne, Zv.presidente e “Statkraft” për Azinë Jugore dhe Europën Jugperëndimore

Prodhuesi më i madh i energjive të rinovueshme në Europë, “Statkraft”, e sheh Shqipërinë tërheqëse për investime të mëtejshme në energji. Kompania ka zbatuar në vendin tonë projektin më të madh hidroenergjetik në 30 vitet e fundit, përmes Devoll Hydropower në kaskadën e Devollit.

Tima Iyer Utne, Zv.presidente e “Statkraft” për Azinë Jugore dhe Europën Jugperëndimore, në një intervistë për “Monitor” nënvizoi se Ballkani ka potenciale të mëdha sidomos sa u takon burimeve të rinovueshme. Përfaqësuesja “Statkraft” vlerëson se Shqipëria duhet të përparojë në përpjekjet dhe reformat e saj në sektorin e energjisë për të arritur liberalizimin e plotë të tregut, si dhe të bëjë operative Bursën e saj të Energjisë brenda afateve të përcaktuara.

Prej dy vitesh po jetojmë me pandeminë e COVID-19. Si e ka ndikuar kjo situatë në tërësi “Statkraft” nga planet e investimeve, te zgjerimi në tregje të reja?

Fillimi i pandemisë i tronditi të gjitha industritë, përfshirë sektorin e energjisë. Sektori përjetoi rënie të kërkesës, çmime më të ulëta deri tek pasiguritë se si do të zhvillohej situata. Disa nga aktivitetet e projekteve tona hasën vonesa, por angazhimi ynë për zgjerimin dhe investime në energjitë e rinovueshme mbetet i njëjtë.

Pavarësisht sfidave nga Covid-19, ia kemi arritur të rifillojmë dhe të vazhdojmë me projektet tona, gjithmonë duke zbatuar masat e aplikuara në vendet ku operojmë.

Cila është strategjia e “Statkraft” për vitet e ardhshme lidhur me diversifikimin e portofolit të saj në sektorin e energjisë dhe konkretisht për burimet e rinovueshme?

“Statkraft” është prodhuesi më i madh i energjive të rinovueshme në Europë. Ambicia jonë është të jemi lider në tranzicionin drejt energjive të rinovueshme dhe të luftojmë kundër ndryshimeve klimatike nëpërmjet investimeve në burimet e energjisë së rinovueshme dhe të qëndrueshme.

Strategjia jonë fokusohet në shndërrimin si zhvillues i madh i energjive nga era dhe dielli, që plotësojnë portofolin tonë në hidroenergji. Është e rëndësishme të theksohet se hidroenergjia vazhdon të jetë shtylla kurrizore e aktiviteteve tona dhe si e tillë, do të vazhdojmë optimizimin dhe zgjerimin e portofolit në hidroenergji.

Po Ballkani, çfarë peshe zë në planet tuaja dhe specifikisht Shqipëria?

Ne besojmë se e ardhmja e vendeve të Ballkanit do të jetë bashkimi me Bashkimin Europian. Vendet e Ballkanit kanë nevojë për BE dhe BE ka nevojë për vendet e Ballkanit. Shqipëria mund të luajë një rol kyç në mundësimin e dekarbonizimit të sektorit të energjisë së rajonit dhe të kontribuojë në Axhendën e Gjelbër të BE, si dhe në transformimin e rajonit me perspektivën e arritjes së objektivave klimatike të BE-së.

Investimet tona në rajon, deri tani, kanë qenë në Projektin Hidroenergjetik të Devollit në Shqipëri, i cili është investimi më i madh në hidroenergji në vend në 30 vitet e fundit. Shohim se Shqipëria dhe rajoni kanë potenciale të mëdha për zhvillim të mëtejshëm, sidomos në prodhimin dhe tregtimin e energjive të rinovueshme.

Vitin e shkuar u fut në prodhim të plotë kaskada e Devollit, ku pas HEC-it të Banjës ishte ai i Moglicës, që filloi operimin tregtar. Si ka qenë ecuria e Devoll Hydropower si pjesë e “Statkraft” në termat e prodhimit, shitjes dhe kontributit të përgjithshëm në tregun e energjisë vitin e shkuar?

Viti i shkuar ishte shumë i rëndësishëm për ne me mbylljen e investimit për HEC-in e Banjës dhe HEC-in e Moglicës, një arritje madhore e Projektit Hidroenergjetik të Devollit.

2020-a ishte vit i pazakontë, veçanërisht me pasojat e pandemisë në tregun e energjisë, të kombinuara me një vit të pafavorshëm sa i përket hidrologjisë. Megjithatë, e mbyllëm vitin me arritje shumë pozitive dhe tashmë hidrocentralet tona janë të dyja në operim.

Cilat janë pritshmëritë tuaja për këtë vit?

Ky është viti i parë që të dyja hidrocentralet, si Banja ashtu edhe Moglica, e nisën vitin në operim të plotë tregtar. Presim me padurim të shohim performancën e gjithë kaskadës në operim të plotë.

Ju po testoni një teknologji të re mbi HEC-in e Banjës me një impiant fotovoltaik lundrues. Në çfarë faze është sot impianti, si po rezulton përdorimi i kësaj teknologjie inovative? A do të zgjeroni më tej kapacitetet me projekte të reja të kësaj natyre?

Impianti Fotovoltaik Lundrues i Banjës është projekt shumë interesant për kërkim dhe zhvillim. Pas përfundimit të njësisë së parë hasëm disa pengesa dhe vonesa. Megjithatë, mirëpresim vazhdimin e zbatimit të projektit për vlerësimin e rezultateve të performancës së kësaj teknologjike.

Po sa u takon investimeve në energjinë eolike dhe atë fotovoltaike ku Shqipëria ka hapur herë pas here gara, a ka interes kompania për t’u zgjeruar?

Po i monitorojmë nga afër mundësitë që po krijohen në Shqipëri në energjinë e rinovueshme dhe do t’i vlerësojmë teksa materializohen.

Si paraqitet klima e të bërit biznes në Ballkan në tërësi për investitorët dhe si e cilësoni këtë klimë specifikisht për Shqipërinë?

Klima e të bërit biznes në Ballkan historikisht është ndikuar nga një sërë faktorësh, si destabiliteti i rajonit, tranzicioni i gjatë drejt tregut të lirë, rezistenca ndaj zhvillimit të teknologjive të reja në projekte me shkallë të gjerë. Megjithatë, rajoni ka bërë progres të konsiderueshëm drejt integrimit në BE. Gjithashtu, rajoni ka oportunitete të konsiderueshme në zhvillimin e energjive të rinovueshme.

“Statkraft” ka besuar që prej fillimit të aktivitetit të saj në Shqipëri se e ardhmja e vendit është së bashku me vendet europiane. Vazhdojmë të besojmë se Shqipëria është një vend shumë atraktiv për investimet.

Përvoja jonë këtu prej më shumë se një dekadë ka treguar se është e mundur të arrihet sukses, edhe në kushte sfiduese. Arritjet tona janë mundësuar nga një bashkëpunim i ngushtë me autoritetet shqiptare.

Cilat janë disa nga elementet që ju mendoni ku duhet të ndalet vëmendja e qeverisë në funksion të përmirësimit të kushteve në tregun e energjisë, duke qenë se janë disa projekte që fliten prej vitesh, por nuk po gjejnë zbatim të plotë, siç është Bursa, liberalizimi, etj.?

Shqipëria është në rrugën e saj të integrimit me BE dhe në procesin e integrimit po përshtat tregun e energjisë sipas direktivave të BE-së. Si palë kontraktuese, Shqipëria është pjesë aktive e nismave dhe projekteve të Komunitetit të Energjisë drejt integrimit me tregjet e BE-së.

Shqipëria duhet të përparojë në përpjekjet dhe reformat e saj në sektorin e energjisë, për të arritur liberalizimin e plotë të tregut ashtu siç e ka planifikuar. Elementet thelbësore në këtë drejtim janë rritja e kapaciteteve të kompanive publike dhe private të energjisë për të qenë të afta të operojnë në treg të liberalizuar; Bursa Shqiptare e Energjisë mirëfunksionale; si dhe të vazhdohet me proceset e ndërthurjes së tregut me vendet fqinje.

Besojmë se progresi i mirë në këto nisma do ta bëjnë sektorin e energjisë në Shqipëri fizibël, më të shëndetshëm, më të qëndrueshëm, duke kontribuar në rritjen ekonomike të vendit dhe integrimin në BE.

Prishmëritë

Shqipëria duhet të përparojë në përpjekjet dhe reformat e saj në sektorin e energjisë, për të arritur liberalizimin e plotë të tregut ashtu siç e ka planifikuar. Elementet thelbësore në këtë drejtim janë rritja e kapaciteteve të kompanive publike dhe private të energjisë për të qenë të afta të operojnë në treg të liberalizuar; Bursa Shqiptare e Energjisë mirëfunksionale; si dhe të vazhdohet me proceset e ndërthurjes së tregut me vendet fqinje./Monitor