Shoqata e Tregtisë Elektronike, GIZ dhe qeveria po koordinojnë përpjekjet për të nxitur e-commerce në Shqipëri

Shoqata Shqiptare e Tregtisë Elektronike (AECA) organizoi të enjten eventin Level UP Your E-Commerce, një forum për të diskutuar rreth perspektivave të zhvillimit të mëtejshëm të një sektori dinamik dhe premtues për ekonominë shqiptare.

I ftuar në event, Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Besart Kadia tha se ky institucion, në bashkëpunim të ngushtë edhe me shoqatën AECA, do të ngrejë një grupi pune të posaçëm, i cili do të përgatisë Plan Veprimin për Zhvillimin e Tregtisë Elektronike në Shqipëri.

Gjithashtu, z. Kadia evidentoi faktin se transformimi digjital është objektiv madhor i qeverisë, e cila ka bërë hapa të konsiderueshëm në drejtim të digjitalizimit të shërbimeve publike.

Drejtuesi Rajonal i Komponentit (Component Leader) në Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ), z. Florian Brütting përgëzoi shoqatën AECA-n për fillimin e suksesshëm të saj dhe prezantoi projektin rajonal të GIZ-it për të përmirësuar kushtet për tregtinë online në rajonin e CEFTA-s.

Projekti është financuar nga Komisioni Europian dhe Qeveria Gjermane si pjesë e aksionit Mbështetje për Integrimin Ekonomik Rajonal. Në kuadër të këtij projekti, AECA mbështetet të punojë për krijimin e një baze të fortë për të gjitha sipërmarrjet që dëshirojnë të angazhohen në tregtinë elektronike në tregun rajonal.

“Ne jemi shumë të lumtur që me shoqatën AECA, GIZ ka një partner tjetër të fortë që ndihmon në formimin e mjedisit për tregtinë elektronike në rajon. Tashmë jemi duke bashkëpunuar me AECA që nga themelimi i saj në shkurt 2022 dhe jemi të impresionuar nga pasioni i tyre dhe kontributet e çmuara që dhanë në këtë periudhë të shkurtër kohore,” tha në fjalën e tij, z. Brütting.

Enio Jaço, Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë vendosi theksin tek rëndësia e përfaqësimit të biznesit dhe ndërtimi i urave bashkëpunuese të komunikimit me administratën publike nëpërmjet procesit të Dialogut Publik-Privat.

Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Tregtisë Elektronike, z. Valer Pinderi, informoi të pranishmit në lidhje me aktivitetet e shoqatës AECA dhe përfitimet që do të ketë çdo sipërmarrës aktiv në tregtinë elektronike për t’u zhvilluar më shpejt në këtë drejtim.

Në fund, u organizua një seksion i fokusuar tek disa histori ndërkombëtare suksesi në e-commerce, me z. Mërgim Cahani, krijuesi i portalit rajonal të suksesshëm Gjirafa, me znj. Lona Alia një shqiptare që ka mundur të marrë fonde nga akseleratori më i madh në botë Y Combinator i pozicionuar në Silicon Valley dhe në fund Sharon Gai nga gjigandi ndërkombëtar Alibaba Group, e cila tregoi mundësitë që ofron Drop Shipping për shqiptarët që duan të tregëtojnë globalisht.

Përgjatë eventit pati një interes të konsiderueshëm të bizneseve shqiptare që operojnë në fushën e tregtisë elektronike, për t’u bërë pjesë e shoqatës AECA.

Në fund të eventit, mes Shoqatës Shqiptare të Tregtisë Elektronike (AECA) dhe Shoqatës Maqedonase të Tregtisë Elektronike (AECA) u nënshkrua një Memorandum Bashkepunimi (MoU), dokument ky mjaft i rëndësishëm për të ndërtuar ura bashkëpunimi me institucionet homologe në rajon dhe për të përfituar nga eksperienca e tyre me qëllim përmirësimin e shërbimeve per bizneset e tregtisë elektronike në Shqipëri.

Transformimi dixhital i kompanive ka pasur ndër vite një ecuri të qëndrueshme duke marrë shtysën kryesore gjatë dy viteve të pandemisë COVID-19. Edhe pse përmirësimi i situatës pandemike dhe rritja e qarkullimit të qytetarëve ka ndikuar me një rënie rreth 3% të porosive krahasuar me tremujorin paraardhës, sipas AKEP, niveli i këtij shërbimi tashmë konsiderohet i konsoliduar, me rreth 6.5 milionë shërbime postare gjatë tremujorit të parë 2022 dhe me një trend rritës afatgjatë.

Në anën tjetër, pritshmëritë dhe perceptimi i biznesit ndaj nevojës për transformim digjital të shërbimeve dhe përdorimit të tregtisë online vlerësohen në nivele të larta.

Sipas një anketimi të realizuar së fundmi nga AIDA dhe Banka Botërore me 100 ndërmarrje në periudhën gjysmës së parë të vitit 2022 rreth 83% e bizneseve e konsiderojnë transformimin digjital në listën e prioriteteve të tyre dhe 88.8% e trajtojnë si të rëndësishëm ose shumë të rëndësishëm.

Vërehet gjithashtu se pengesat kryesore organizative të transformimit dixhital janë mungesa e burimeve financiare, sistemi IT i kufizuar si dhe mungesa e vizionit dhe strategjisë gjithëpërfshirëse dixhitale./Monitor