Shkëmbi “iu tregon dhëmbët” kampionëve: Dinamo mbetet “nëndetësja” e vërtetë…

Trajneri i Dinamos, Bledi Shkëmbi, ishte sot përballë gazetarëve në konferencë për shtyp. Kryepankina e bluve kryeqytetas vlerësoi maksimalisht kundërshtarin, por është optimist se të tijtë do të bëjnë më të mirën ndaj Teutës.

A ka ndikuar moralisht humbja në Kupë te ju?

Shpresoj që jo. Çdo humbje nuk përjetohet mirë, por patjetër që një humbje në Kupë me ndeshje kthimi nuk është problem. Nuk diskutohet që këtë do ta tregojmë në fushë.

Përballë do të keni kampionët në fuqi…

Përballë do të kemi kampionët, një ekip që meriton respekt për gjithçka ka bërë gjatë këtyre viteve, por Dinamo nuk ndryshon mendësinë dhe as mënyrën e të luajturit. Pra, do të kërkojmë ta fitojmë ndeshjen, pavarësisht se me cilin kundërshtar do të luajmë.

Ju jeni asi nën mëngë si ish-trajner i Teutës. Çfarë pikash të dobëta ka kundërshtari?

Në fakt mund të isha asi nën mëngë nëse do të isha futbollist akoma. Shpresoj që asi nën mëngë të jetë ndonjë futbollist, që të bëjë diferencën, pasi çdo ndeshje, çdo skuadër ka një ose disa lojtarë që bëjnë diferencën. Shpresoj që ta kemi nesër këtë futbollist dhe i gjithë ekipi të jetë në maksimumin e vet. Ekipet që dalin kampion kanë pak pika të dobëta, por shpresojmë që ta godasim kundërshtarin dhe të shënojmë.

Në ndeshjen e Kupës keni aktivizuar disa lojtarë të stolit. A keni marrë përgjigje pozitive?

Është e vërtetë që kemi ndryshuar diçka në ndeshjen e Kupës dhe nuk me pëlqen t’i quaj lojtarë të stolit, sepse shumë nga ata kanë qënë pjesë të 11-shes së parë. I kënaqur nuk jam jo vetëm me ata, por me gjithë skuadrën. Kemi folur me ekipin dhe shpresoj që ta kemi harruar atë ndeshje. Nesër jam i bindur që do jemi në 100% tonë.

Sa ndikon fakti që luani në fushë asnjanëse dhe a i druheni gjykimit?

Po e nis nga e dyta. Jo, nuk i druhem gjykimit. Në asnjë moment, në asnjë ndeshje unë dhe ekipi im nuk do t’i druhemi gjykimit. Nuk do ta kemi mendjen aspak aty. Përsa i përket fushës asnjanëse, mendoj që pandemia ka bërë që të ndihemi të gjithë të barabartë në çdo fushë që luajmë. Megjithëse do të dëshiroja shumë që tifozët të ishin të shumtë, pasi një ambient me tifozë i shtyn të dyja ekipet të japin maksimumin.

A i kishit parashikuar rezultatet e ndeshjeve të mëparshme?

Përsa iu përket pikëve duhet të jemi të kënaqur, por me atë që kemi dhënë në lojë, në të dyja ndeshjet e para, nuk jemi dhe aq; si stafi dhe futbollistët. Duhet të kemi vazhdimësi gjatë gjithë lojës. Në të dyja ndeshjet kemi pasur momente shumë të mira dhe jo të mira. Patjetër që na duhet kohë për ta arritur këtë, por nga ndeshja në ndeshje duhet të japim maksimumin. Katër pikë në dy ndeshje, teksa luajtëm ndaj Laçit, një kundërshtar shumë i fortë i kampionatit në shumë vite, besoj se janë mirë.

A e keni Teutën në ndeshjen e fundit?

Normalisht që e kemi ndjekur. Jemi munduar të kuptojmë se çfarë bën Teuta mirë, por edhe difektet që ka.