Gjyqtarja e Apelit të Korçës, Brunilda Malo është shkarkuar pas përballjes me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, pasi është konstatuar se ka pasur probleme me pasurinë.
Gjykatësja Malo nuk mundi të justifikonte të ardhurat prej 24.1 milionë lekësh të bashkëshortit të ndjerë, i cili ishte administrator dhe aksioner i kompanisë “D&G Construction”. Brunilda Malo ka nisur karrierën e saj fillimisht si gjykatëse në Kolonjë. Që prej vitit 2003, ajo mban detyrën e gjyqtares në Gjykatën e Apelit të Korçës.
Gjatë hetimit administrativ, Malo ka pretenduar se nuk ishin marrë në shqyrtim provat e dorëzuara prej saj, kërkesë e cila u rrëzua nga një trupë tjetër gjyqësore.
Deri tani numri i gjyqtarëve të rrëzuar nga proçesi i Vetingut shkon në mbi 60. Ky procesi synon pastrimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri nga gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar, të cilët nuk përmbushin funksionin e tyre ashtu siç duhet. Ai është mjaft i lidhur me integrimin e vendit drejt Bashkimit Europian , pasi nga ndërkombëtarët cilësohet si kryereforma e reformave që Shqipëria duhet të ndërmarrë me qëllim anëtarësimin pranë familjes europiane./apel.media