Shkarkimi i Flamur Nokës, reagon Albana Vokshi: Bindja e verbër dhe futja në rrjesht janë asfiksim që e çon PD-në në një vdekje pa zhurmë por të sigurt

Vjen reagimi i parë nga brenda Partisë Demokratike për shkarkimin e Flamur Nokës nga posti i nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë. Deputetja Albana Vokshi ka bërë një postim në rrjetet sociale, ku ndëshkon vendimin e kryedemokratit Lulzim Basha.

“Liria dhe demokracia e brendshme janë oksigjeni që mund të mbajnë në jetë PD-në. Memeceria, bindja e verbër dhe futja në rrjesht janë asfiksim që e çon PD-në në një vdekje pa zhurmë por të sigurt,”-shkruan ajo në postim.

Mbrëmjen e sotme, Basha vendosi për shkarkimin e Nokës nga posti i nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë,ndërsa e paralajmëroi edhe për përjashtim nga grupi parlamentari Partisë Demokratike. Përplasja më e fundit mes Nokës dhe Bashës, ndodhi në mbledhjen e sotme të Kryesisë, ku deputeti pretendoi se kryedemokrati e cilësoi qeverinë e Berishës si “llum”. Por ky pretendim u hodh poshtë nga selia blu.